Ju mund t’i drejtoheni Qendrës së Botimeve për Diasporën për kërkesa ose ankesa në lidhje me çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e institucionit. Këto kërkesa dhe ankesa trajtohen sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Administrative, konkretisht neneve 53, 57, 58 dhe 59:
Neni 53
Përcaktimi dhe shtyrja e afateve procedurale
- Afatet për kryerjen e një veprimi procedural nga palët, të quajtura në vazhdim “afatet procedurale”, përcaktohen nga ligji ose aktet nënligjore.
- Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë Kod, nëse ligji ose aktet nënligjore nuk parashikojnë një afat të caktuar për kryerjen e një veprimi procedural, organi publik që kryen procedurën cakton me vendim të veçantë një afat të arsyeshëm, sipas çështjes konkrete dhe në përputhje me parimin e ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit.
- Afati procedural i caktuar nga ligji ose aktet nënligjore mund të zgjatet vetëm nëse kjo parashikohet shprehimisht nga ligji ose akti nënligjor, ndërsa afati i caktuar nga organi publik mund të zgjatet me kërkesë të justifikuar të palës së interesuar, të paraqitur përpara mbarimit të afatit.
Neni 57
Prezumime për llogaritjen e afateve
- Dita e paraqitjes së kërkesës, për efekt të llogaritjes së afateve procedurale që ecin në dëm të palës, konsiderohet ajo e:
- a) depozitimit të kërkesës në postë, kur kërkesa dërgohet me postë të porositur;
- b) depozitimit të kërkesës në kutinë postare të organit publik;
- c) paraqitjes së kërkesës në degët e institucionit, në prefekturë apo përfaqësitë diplomatike ose zyra konsullore;
ç) paraqitjes në komandën ose institucionin e ndalimit të personave;
- d) regjistrimit nga pajisja përkatëse për marrjen e mesazheve, nëse dokumenti elektronik dërgohet elektronikisht ose kërkesa në formë të shkruar dërgohet me faks.
- Ky komunikim nuk passjell humbjen e afateve. Nëse dokumenti i dërguar nuk është i lexueshëm, organi publik njofton pa vonesë dërguesin duke i kërkuar ta ridërgojë në një mënyrë tjetër të përshtatshme. Dita e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, konsiderohet edhe si dita kur ka ndodhur ngjarja, për efekt të llogaritjes së afateve që ecin kundër organit publik.
Neni 58
Forma dhe përmbajtja e kërkesës
- Përveçse kur ligji parashikon një formë të caktuar, çdo kërkesë, me të cilën personat i drejtohen organit në një procedurë administrative, mund të jetë:
- a) në formë të shkruar;
- b) të deklarohet verbalisht para organit publik dhe të regjistrohet nga ky i fundit; ose
- c) të bëhet në çdo formë tjetër të përshtatshme.
- Kërkesa duhet të jetë mjaftueshëm e qartë për të përcaktuar kërkuesin dhe qëllimin e saj, përveçse kur ligji parashikon një përmbajtje të caktuar.
- Kërkesa konsiderohet në formë të shkruar edhe kur ajo dërgohet me faks ose në rrugë elektronike, me kusht që të tregojë qartë autorin e saj. Ligji mund të kërkojë që kërkesa të nënshkruhet me dorë.
Neni 59
Paraqitja e kërkesës
- Kërkesa paraqitet drejtpërdrejt në organin publik kompetent ose në çdo zyrë apo degë të tij. Kërkesa drejtuar një organi publik qendror mund të paraqitet edhe në çdo prefekturë, në territorin e së cilës pala ka vendqëndrimin, nëse organi publik qendror nuk ka zyrë ose degë në atë territor.
- Kërkesa mund të paraqitet edhe në përfaqësitë diplomatike, zyrat konsullore të Republikës së Shqipërisë, në shtetin ku pala ka vendqëndrimin apo vendbanimin e saj.
- Zyrat, degët, prefektura, përfaqësitë diplomatike apo zyrat konsullore ia dërgojnë pa vonesë kërkesën dhe, në çdo rast, brenda 48 orëve nga paraqitja e saj, organit publik kompetent dhe njoftojnë kërkuesin.
- Personat që shërbejnë në Forcat e Armatosura mund ta paraqesin kërkesën e tyre në komandën përkatëse ku kryejnë shërbimin, ndërsa personat e ndaluar apo që ekzekutojnë dënimin penal me burgim mund ta paraqesin atë pranë institucionit ku gjenden të ndaluar ose ku ekzekutojnë dënimin penal me burgim.
- Në përputhje me pikat 1 deri në 4, të këtij neni, kërkesa mund t’i paraqitet drejtpërdrejt organit publik brenda orarit zyrtar. Për paraqitjen e kërkesave verbale, organi publik mund të caktojë një orar të posaçëm brenda orarit zyrtar. Orari i posaçëm nuk është i zbatueshëm kur paraqitja e kërkesës lidhet me ndonjë afat që ecën në dëm të kërkuesit.
- Kërkesa me shkrim mund të dërgohet edhe me postë të porositur, mjete elektronike ose faks, drejtpërdrejt në adresën përkatëse zyrtare të organit kompetent, të cilit i drejtohet ose në kutinë postare të organit publik. Kërkesat urgjente mund të bëhen edhe me telefon, nëse është e mundur, sipas natyrës së kërkesës.
- Këshilli i Ministrave përcakton me vendim organet publike dhe procedurat administrative, në të cilat paraqiten kërkesat me mjete elektronike dhe kërkesat teknike përkatëse. Kërkesat teknike duhet të jenë jodiskriminuese dhe t’i referohen produkteve dhe teknologjive përgjithësisht të disponueshme dhe ndërvepruese me produktet e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në përdorim të përgjithshëm. Çdo organ publik publikon kërkesat teknike në faqen e tij zyrtare të internetit.