Samiti i tretë i Diasporës, i zhvilluar në vitin 2023, kishte për qëllim identifikimin e sfidave kryesore që prekin komunitetin shqiptar jashtë vendit, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe diasporës, si dhe inicimin e angazhimeve konkrete për projekte të përbashkëta zhvillimi në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit.
Ministria kontribuoi me një agjendë të fokusuar në dy panele kryesore:
- “Diaspora Akademike – Urë lidhëse për ndërkombëtarizim dhe kërkim shkencor në universitete”, ku u trajtuan mundësitë për bashkëpunim ndërmjet universiteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare përmes rrjetëzimit të studiuesve shqiptarë në diasporë;
- “Gjuha Shqipe në Diasporë”, panel i cili trajtoi sfidat e mësimdhënies së shqipes jashtë vendit, nevojën për institucionalizim dhe kualifikim të mësuesve, si dhe zhvillimin e mjeteve didaktike bashkëkohore për mësimin plotësues.