Në verën e vitit 2023, u zhvillua edicioni i parë i Shkollës Verore “Jam Shqiptar”, një nismë dedikuar nxënësve të shkollave shqipe në diasporë, me fokus të veçantë në këtë edicion për fëmijët shqiptarë që jetojnë dhe mësojnë në Greqi. Aktiviteti u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Agjencisë Kombëtare të Diasporës, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Ky projekt synonte forcimin e identitetit kombëtar tek brezat e rinj të diasporës, përmes një programi të pasur didaktik dhe kulturor, që përfshinte mësim të gjuhës shqipe, aktivitete krijuese, si dhe vizita në qytete historike të Shqipërisë si: Shkodra, Berati, Tirana, Kruja, etj.

Nxënësit përjetuan një eksperiencë të paharrueshme, duke krijuar kujtime të bukura dhe lidhje më të forta me atdheun, historinë dhe kulturën e të parëve të tyre. Shkolla Verore u mirëprit si një model i suksesshëm që pritet të zgjerohet edhe më tej në vitet në vijim.