Ka nisur edicionin e tretë të Shkollës Verore “Jam shqiptar”, realizuar me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën, një nismë kjo mbarëkombëtare që synon të forcojë lidhjet e brezit të ri të diasporës me atdheun përmes gjuhës, kulturës dhe përvojës së drejtpërdrejtë në vendin e origjinës.
Gjatë qëndrimit 10-ditor në Shqipëri (5–15 korrik 2025), nxënësit do të përfshihen në një program që ndërthur mësimin e gjuhës shqipe me veprimtari kulturore, vizita historike dhe takime institucionale.
Programi “Ora shqip” është hartuar në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) dhe bazohet në kurrikulën e përbashkët për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, të miratuar nga institucionet përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.
Nxënësit do të kenë mundësi të vizitojnë qytete dhe monumente me rëndësi të veçantë kombëtare, si Tirana, Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, Shkodra, Kalaja e Petrelës, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, muze si “Bunk’Art”, “Shtëpia e Pavarësisë”, “Marubi”, “Onufri” e shumë të tjera. Në qendër të çdo aktiviteti do të jetë gjuha shqipe si thelb i identitetit dhe vetëdijes kulturore.
Shkolla verore “Jam shqiptar” është një projekt i hartuar në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2021–2025 dhe synon të krijojë ambasadorë të rinj të kulturës shqiptare, që e përcjellin me krenari trashëgiminë e tyre në vendet ku jetojnë.
Qendra e Botimeve për Diasporën do të shpërndajë për pjesëmarrësit edhe botime dygjuhëshe si cikli “Tregime të moçme shqiptare”, si dhe udhërrëfyes kulturorë të qyteteve kryesore shqiptare.