Gjatë korrikut 2025 u zhvillua edicioni i tretë i Shkollës Verore “Jam Shqiptar”, një nismë mbarëkombëtare që synon forcimin e lidhjeve të fëmijëve të diasporës me atdheun përmes gjuhës, kulturës dhe përvojës së drejtpërdrejtë në Shqipëri. Ky edicion kishte në fokus fëmijët shqiptarë që jetojnë dhe mësojnë në Zvicër.

Shkolla Verore “Jam Shqiptar” u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Agjencisë Kombëtare të Diasporës, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Gjatë qëndrimit 10-ditor në Shqipëri (5–15 korrik 2025), nxënësit morën pjesë në programin “Ora shqip”, vizituan qytete dhe monumente me rëndësi kombëtare, si Tirana, Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, Shkodra, Kalaja e Petrelës, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, si dhe muze të rëndësishëm si “Bunk’Art”, “Shtëpia e Pavarësisë”, “Marubi”, “Onufri” e të tjerë. Në qendër të çdo aktiviteti ishte gjuha shqipe, si thelb i identitetit dhe vetëdijes kulturore.

Qendra e Botimeve për Diasporën shpërndau për pjesëmarrësit botime dygjuhëshe, si ciklin “Tregime të moçme shqiptare”, dhe udhërrëfyes kulturorë të qyteteve kryesore shqiptare.