Në zbatim të Ligjit nr.16, datë 18/04/2018, i ndryshuar, “Për diasporën”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën nr. 469, datë 26.07.2018, i ndryshuar, si dhe Ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, QBD-ja shpall konkursin për pozicionin vakant :
Specialist për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun.
Kategoria e pagës për këtë pozicion është IV- 2.
Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:
- a) Krijon strategji dhe mban komunikimin me organizatat, shoqatat, grupet e interesit, qendrat kulturore dhe subjektet e interesuara të diasporës, të njohura nga përfaqësitë diplomatike shqiptare në vendet përkatëse, me gazetarët dhe mediat e interesuara, në funksion të realizimit të projekteve dhe programeve të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga QBD;
- b) Përgatit përmbajtjen e lajmeve, të buletinit informativ, të komunikimit me publikun në shërbim të QBD-së;
- c) Koordinon punën me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës për botimet për diasporën dhe harton evidenca të sakta që lidhen me shpërndarjen e shërbimeve;
- d) I përgjigjet kërkesave dhe nevojave të institucioneve të Diasporës, si qendrave kulturore, klubeve e shoqatave, si dhe kërkesave individuale të anëtarëve të Diasporës në kohë reale;
- e) Ndjek korrespondencën me institucione dhe organizata të ndryshme për projekte dhe konsultime të ndryshme;
- f) Krijon dhe menaxhon strategjinë për mbarëvajtjen e rrjeteve sociale të QBD-së;
- g) Grubullon informacione apo të dhëna nga organizatat shqiptare në diasporë për efekte statistikore dhe informimi;
- h) Kontakton periodikisht dhe koordinon punën jashtë institucionit me institucionet e tjera në drejtim të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta social-kulturore në funksion të rritjes së përgjegjësisë sociale ndaj komunitetit;
- i) Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga eprori direkt apo Drejtor i QBD-së në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda objektivave të punës së tij;
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
- Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
- Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:
a – Të zotërojë diplomë të nivelit “Master shkencor” në Shkenca Shoqërore.
b – Të kenë të paktën 2 vite përvojë pune në fushën përkatëse.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
-Jetëshkrimi (CV);
-Fotokopje të diplomës. Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministra e Arsimit dhe listën e notave.
-Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
-Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperincën në punë);
-Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
-Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
-Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet brenda datës 17.03.2026 në adresën e
e-mailit info@qbd.gov.al:
Në datën 17.03.2026, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vijuar me testimin, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë kur do të zhvillohet intervista.
Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet për t’u futur në konkurim dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht nga QBD për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).
MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv.
Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a – Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b – Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c – Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën;
Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Data e daljes së rezultateve të konkurimit dhe mënyra e konkurimit
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporën do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të web-it. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike nga QBD-ja (nëpërmjet adresës së e-mail).

