Në datat 26–27 nëntor 2022, me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD), në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe me pjesëmarrjen e institucioneve kërkimore, universitare dhe arsimore nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, organizoi takimin dyditor me titull “Shqipja në Diasporë”. Ky ishte një ndër aktivitetet më përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse të viteve të fundit, kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe në diasporë.
Dita e parë, e zhvilluar në Tiranë, ishte e strukturuar në disa panele tematikë që trajtuan:
- Politikat ndërshtetërore dhe ndërinstitucionale për ruajtjen e shqipes në diasporë;
- Rolin e teksteve mësimore dhe të katedrave të gjuhës shqipe jashtë vendit;
- Organizimin e mësimdhënësve në diasporë dhe përpjekjet për një sistem të njehsuar dhe të qëndrueshëm të mësimit plotësues;
- Shembuj suksesi dhe modele që mund të shërbejnë si frymëzim për komunitete të tjera shqiptare në botë.
Dita e dytë, e mbajtur në Shkodër, “Letra nga Diaspora” i kushtohej letërsisë shqipe jashtë atdheut. Ajo mblodhi bashkë autorë, përkthyes dhe studiues të shquar, të cilët përfaqësojnë zërin letrar dhe kulturor të shqiptarëve në mërgatë. Në këtë takim u theksua roli thelbësor i letërsisë si mjet për ruajtjen e identitetit dhe i përkthimit si urë lidhëse me kulturat e tjera.
Ky takim shërbeu si një platformë reflektimi dhe bashkërendimi, duke ofruar informacion dhe ide të vlefshme për të vënë në lëvizje politika më të koordinuara e efikase për zhvillimin dhe konsolidimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.