Konkursi Ndërkombëtar i Përkthimit “Jusuf Vrioni” është një nismë e Qendrës së Botimeve për Diasporën që ka lindur nga nevoja për të nxitur dhe formuar përkthyes të rinj nga diaspora me qëllim përçimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare përtej kufijve të vendit. Konkursi mban emrin e Jusuf Vrionit, një prej përkthyesve më të shquar shqiptarë, i njohur për kontributin e tij në përhapjen e veprave shqipe në botë, duke simbolizuar kështu një urë lidhëse midis kulturave dhe gjuhëve.

I organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën (Ministria e Arsimit) në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ky konkurs nuk është thjesht një garë, por një proces i mirëfilltë formimi dhe përfshirjeje për të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ai synon të zbulojë talente të reja dhe t’i inkurajojë ato të bëhen pjesë e një brezi të ri përkthyesish, të aftë për të prezantuar kulturën shqiptare në gjuhë të huaja.

Në të njëjtën kohë, konkursi kontribuon në përgatitjen e botimeve dygjuhëshe, të cilat shërbejnë si mjete didaktike për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Konkursi përfshin përkthime në pesë gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe italisht) të një teksti nga projekti “Jam shqiptar” i QBD-së. Për përzgjedhjen e fituesve, Qendra e Botimeve për Diasporën ka bashkëpunuar me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duke përfshirë specialistë të përkthimit në procesin e vlerësimi.

Fituesit do të përfitojnë një kontratë pune për përkthimin e udhërrëfyesit “Gjirokastra” të projektit  “Jam shqiptar”, si dhe do të jenë pjesëmarrës në punëtori të përkthimit të organizuara në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Fituesit e edicionit të parë të këtij konkursi janë:

Gentian Çitaku (fitues për përkthimin shqip-frëngjisht)                                                                                     

Fisnik Zyberi (fitues për përkthimin shqip-gjermanisht)                                                                                     

Fecerica De Bastiani (fituese për përkthimin shqip-italisht)                                                                                 

Orgesa Kodhelaj (fituese për përkthimin shqip-greqisht)                                                                                     

Uarda Erebara (fituese për përkthimin shqip-anglisht)