Bajo Topulli (1868-1930) u arsimua në Stamboll që në moshën 11-vjeçare, ku ra në kontakt me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe të Jani Vretos. Në vitin 1904 bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), pjesë e të cilit ishin mjaft patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, Bajo Topulli u bë vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, bashkë me At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që do të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.
I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930. Fjalën e lamtumirës e mbajti Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera tha: “Në emër të djalërisë vij t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin…”.