Dervish Hima (1875-1928) njihet me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi. Ai lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet studioi mjekësi në Stamboll. Me vajtjen atje, fillimisht mbështeti Lëvizjen e Re Turke, në kuadër të së cilës filloi edhe të reflektojë mbi çështjen shqiptare. Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, botues i gazetës “Arnautlluk” në Stamboll e më pas i gazetës “Albania” në Zvicër. Në vitin 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie” në Gjenevë. Po këtë revistë, ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj përgjatë 1905-1906, në Bruksel. Më 1909 në Stamboll, Dervishi drejtonte të përjavshmen “Shqipëtari” –“Arnavud”, së bashku me Hilë Mosin, një revistë kjo në gjuhën shqipe dhe turke, e mbështetur financiarisht nga Austro-Hungaria, botimi i së cilës u ndalua në fund të vitit 1910.

Dervish Hima ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai shkroi e botoi: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” dhe vepra të tjera.