Dhimitër S. Shuteriqi (1915-2003) lindi në Elbasan në një familje intelektuale, i biri i Simon Shuteriqit, anëtar i Kongresit të Manastirit dhe një ndër themeluesit e Normales së Elbasanit. Dhimitri ndoqi studimet e larta në Universitetin e Grenoblit dhe Lionit, në Francë dhe punoi si mësues në Normalen e Elbasanit. Për një periudhë gati 60-vjeçare, deri në ditët e fundit të jetës, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike. Si shkrimtar dhe romancier Dhimitër Shuteriqi është autor i disa vëllimeve, ndër të cilat: “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Një mal me këngë” (1975), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1978), “Kur rend hëna nëpër re” (1982), “Vërshimet e vjeshtës” (1984), “Kroje kam et “(1977), “Buka dhe thika” (2002) etj. Një numër i madh i veprave letrare janë përmbledhur nën titullin “Vepra”, në 9 vëllime, më 1982 dhe 1989. Vepra e tij e gjerë hulumtuese shkencore iu kushtua fillimeve të qytetërimit shqiptar.

Nga viti 1954 e për 19 vite me radhë drejtoi organizatën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej themelimit më 1972 dhe një ndër themeluesit e arsimit të lartë shqiptar.