Esad Mekuli (1916-1993), poet e përkthyes i mirënjohur shqiptar ishte Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai është vlerësuar nga studiuesi i njohur Robert Elsie si ati i poezisë moderne shqiptare në ish-Jugosllavi.
Shkollimin e mesëm e kreu në Pejë, kurse studimet e larta në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës “Beogradski” student. Ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: “Venac” – Beograd, “Mlladost” – Zagreb, “Granit” – Podgoricë, “Novi Behar” – Sarajevë etj., në gjuhën serbe, dhe çdo herë për shqiptarët. Më 1943 ishte redaktor i gazetës “Lirija”. Pas Luftës së Dytë Botërore, punoi në profesion, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe “Rilindja”. Më vonë themeloi revistën letrare “Jeta e Re” ku arsimoi breza të tërë letrarësh. Vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Shëndeti” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit, si dhe me ato në gjuhën serbe. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare.
Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.