Martin Camaj (1925-1992), lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit në Alpet e veriut. Camaj mori arsim klasik në kolegjin jezuit saverian në Shkodër dhe ndoqi studimet në Universitetin e Beogradit. Prej aty shkoi për studime pasuniversitare në Itali, ku dha gjuhë shqipe dhe kreu studimet në gjuhësi në Universitetin e Romës më 1960. Nga 1970 deri më 1990 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe jetoi në fshatin malor Lenggries në Bavarinë e Epërme derisa vdiq më 12 mars 1992.

Kërkimet universitare të Camajt janë përqendruar në gjuhën shqipe e në dialektet e saj, sidomos në ato të Italisë jugore. Është autori i studimeve gjuhësore për dialektet arbëreshe të Greçit (ital. Greci) dhe Fallkunarës  (ital. Falconara Albanese) dhe i Albanische Wortbildung, Visbaden 1966 (Fjalëformimi në gjuhën shqipe), Lehrbuch der albanischen Sprache, Visbaden 1969 (Doracak për gjuhën shqipe) dhe Albanian grammar with exercises, chrestomathy and glossary, Visbaden 1984 (Gramatikë e gjuhës shqipe me ushtrime, krestomaci dhe fjalorth). Doracaku i fundit u jep mundësi studentëve anglishtfolës të depërtojnë në gjuhën letrare shqipe si dhe në dialektin gegë të autorit. Camaj ka qenë aktiv edhe në fushën e folklorit.

Krijimtaria letrare e Camajt gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza zhvillimi. Ajo nis me poezi, por më pas iu kushtua për herë e më tepër prozës. Vëllimi i parë me vargje klasike, Nji fyell ndër male, Prishtinë 1953, dhe Kânga e vërrinit, Prishtinë 1954, Pas tyre kemi librin Djella, Romë 1958. Përmbledhjet poetike Legjenda, Romë 1964, dhe Lirika mes dy moteve, Mynih 1967, që përmbanin variante të rishikuara të një numri vjershash nga Kânga e vërrinit, u ribotuan në librin Poezi 1953-1967, Mynih 1981. Poezia e periudhës së pjekurisë së Camajt dëshmon për ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti, 1888-1970). Një përmbledhje vjershash të zgjedhura i është përkthyer italisht nga Françesko Solano në një botim dygjuhësh Martin Camaj – Poesie, Palermo 1985 (Poezi), anglisht nga Leonard Fox, Selected Poetry, Nju Jork 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, Gedichte, Mynih 1991 (Poezi).

Romani Rrathë, Mynih 1978, është cilësuar si i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe. Është vepra më e gjatë e autorit në prozë që i mori pesëmbëdhjetë vjet punë për ta shkruar. Ndër botimet e tjera letrare të Camajt janë një vëllim me vjersha me titullin Njeriu më vete e me tjerë, Mynih 1978; Dranja, Mynih 1981, përmbledhje madrigalesh, siç i quan autori; Shkundullima, Mynih 1981, përmbledhje me pesë tregime dhe një pjesë teatrale; dhe romani Karpa, Romë 1987.