Arshi Pipa (1920-1997) ishte arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar. Studioi për filozofi në Universitetin e Firences në Itali dhe gjatë viteve 1941-1946 dha mësim në Liceun Shtetëror të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit. Në prill të vitit 1946, u burgos nga regjimi komunist për idetë e tij patriotike e demokratike. Për dhjetë vjet (1946-1956) Pipa vuajti në burgjet famëkeqe të Durrësit, Vloçishtit (Korçës), Tiranës, Burrelit etj. Aty shkroi vëllimin me poezi “Libri i Burgut”, e cila është vepra poetike më e mirë e poetit. Pas daljes nga burgu, në fundverën e vitit 1958 ai arratiset dhe vendoset përfundimisht në SHBA. Gjatë kësaj periudhe, pas peripecish e vuajtjesh, arriti të japë leksione në universitetet më të dëgjuara amerikane (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.). Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në: poezi, estetikë e filozofi dhe kritikë letrare. Përveç veprës “Lundërtarë”, vëllimet e tij poetike “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana” janë botuar jashtë shtetit dhe për këtë ende nuk njihen sa duhet nga lexuesi shqiptar. Për sa u përket studimeve dhe kritikës, përmendim sidomos ato që kanë të bëjnë me letërsinë shqipe: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italoshqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.