Jeronim de Rada ( 1814 – 1903), ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–arbëresh, themelues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare. Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Lindi në 29 nëntor të 1814 në fshatin Macchia të krahinës së Kozencës. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.
Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV.
Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serfaina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 (Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino) nuk u la të qarkullojë nga autoritetet Burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali. Kjo vepër u ribotua me titullin Këngët e Serfaina Topisë, princeshës së Zadrimës në shekullin XV, Napoli 1843, (Canti di Serafina Thopia, principessa di Zadrina nel secolo XV).
Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund.
Emri i De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mtiko, Zef Jubani, Sami Frashëri, shkrimtarja rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria, si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë.
I shkurajuar nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna. Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash. Në një çast dëshpërimi, asgjëson të gjithë përmbledhjen e këngëve popullore që i kishte mbledhur me dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italisht.
Më 1883 De Rada themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiamri Arbërit – La bandiera dell’Albania.Ky periodik, i botuar në fillim në Macchie e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.
Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Dy vjet më vonë mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro). Aty bëri thirrje për të ngritur një Katedër të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli. Në këto vite të fundit të jetës ai botoi veprën Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe, Koriliano Kalabro 1894 (Caratteri e grammatical della lingua albanese) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në Kolegjin e Shën Adrianit. Pas dy vitesh botoi librin Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane, Napoli 1896 (Antologija Albanese tradotta fedelmente in italiano), ku përfshihen poezi të zgjedhura nga Jul Variboba, Françesk Anton Santori etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar Autobiologjia, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se të vdiste, botoi edhe ‘Testamento politico’, përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në La Nazione Albanese më 30 shtator 1902.
I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.
De Rada mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XIX. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore dhe krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri që ende vuante nën zgjedhën osmane.
Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014, për De Radën Kadareja tha “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.