Anton Logoreci lindi në Shkodër më 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse. Ai nisi mësimet në klasat fillore të etërve françeskanë dhe vijoi në kolegjin jezuit të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1922, me themelimin e Kolegjit Teknik Amerikan nga Kryqi i Kuq Amerikan në Tiranë, familja e dërgoi Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoi shumë në formimin e tij. Mjedisi, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mësuesit apo specialistët e shkollës ishin elemente të fuqishme në përgatitjen e shumanshme mësimore e disiplinore të çdo studenti, çka atij i shërbeu më pas për të krijuar bazat e një karriere të fuqishme. Antoni me sjelljen e talentin e tij letrar u bë një ndër studentët e zgjedhur të drejtorit Fultz, i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë së revistës së shkollës “LABOREMUS”, të krijuar nga ai vetë. Antoni ishte një ndër redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tij në këtë organ.
Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit iu dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik Jocelyn Percy, të cilin Presidenti Zog e ngarkoi me organizimin dhe trajnimin e xhandarmërisë shqiptare. Për rezultate të larta në mësime, ai përfitoi një bursë nga shteti dhe në vitin 1937 filloi studimet, duke u diplomuar për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës nga ku dolën personalitete të politikës botërore, laureatë të çmimit “Nobel”, sipërmarrës të suksesshëm, gazetarë të famshëm, profesorë të shkëlqyer etj. Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vendosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin e njohur BBC. Kjo dritare informacioni do t’u shërbente shqiptarëve, jo vetëm për të kuptuar situatën e luftës, por edhe për t’u ndërgjegjësuar. Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare Dervish Duma, drejtimin e këtij programi e mori Anton Logoreci. Si rezultat i komenteve dhe kritikave që Logoreci përcillte nëpërmjet Radio Londrës, familja e tij në Shkodër vuajti kalvarin e mundimeve, burgjet dhe diskriminimin nga pushteti komunist. Në vitin 1977, Anton Logoreci botoi në Londër librin e tij “The Albanians – Europe´s Forgotten Survivors” ose të shkruar në shqip “Shqiptarët – të mbijetuarit e harruar të Europës”, një libër i shkruar me profesionalizëm dhe që u bë pikë reference për të gjithë studiuesit e çështjes shqiptare e ballkanike. Libri ishte një analizë e thellë e shkaqeve të lëngimit të gjatë të atdheut nga komunizmi, izolimi, konfliktet ndërkombëtare, marrëdhëniet me fqinjët si dhe vuajtjet dhe perspektivën e lirisë së Kosovës martire.