Kristo Floqi (1920-1951) lindi në Korçë më 15 nëntor 1920. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. U diplomua për drejtësi në Athinë, ku ushtroi profesionin e avokatit më 1899. Në Korçë hapi zyrë avokature dhe punoi gjatë viteve 1902-1908 si avokat në vendlindje, Manastir dhe si anëtar i gjyqit të shkallës së parë në Dibër.
Më 1908 drejton gazetën “Dielli” në Shtetet e Bashkuara dhe më 1911 drejton mbledhjen për krijimin Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SHBA. Më 28 prill 1912 ishte themelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës Vatra, të cilën e drejtoi më 1913-1915. Merr pjesë më 1913 në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën.
Më 6 qershor 1913 emërohet në krye të gjykatës civile e penale, më 1914 u emërua kryesekretar i ministrisë së Drejtësisë dhe më 1919 drejtonte botimin e të përkohshmes “Agimi”, organ degës letrare i shoqërisë “Vllaznia”. Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz bej Vrionit dhe qe anëtar i “Bashkimit të Shenjtë”. Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës gjer më 1928. Ndërroi jetë më 1 korrik 1951.
Krijimtaria e tij përfshin një sërë veprash letrare në gjininë e dramaturgjisë dhe sudimeve politike, si:
“Fe e Kombësi”, “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”, “Skënderbeu n’Itali”, “E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë” etj.
Floqi ishte një nga autorët më popullorë të letërsisë e veçanërisht dramaturgjisë shqiptare në periudhën 1912-1939.
Vepra e tij juridike, politike, publicistike e letrare qe e njohur gjerësisht në periudhën kur e shkroi, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij gati u harrua ose u përmend shkarazi. Duke pasur një aktivitet të rëndësishëm politik dhe patriotik dhe një gjeografi të pasur vendndodhjesh, emri i tij u përmend e analizua në organe të tilla, si: “Dielli” i Bostonit, “Dielli e Flamuri” Boston, “Atdheu” Kostancë, “Gazeta e re” Tiranë, “ Demokracia” Gjirokastër, “Kalendari Kombiar” Sofje, “Posta e Shqypnisë” Shkodër, “Populli” Vlorë etj. Ai botoi një numër të konsiderueshëm komedish dhe dramash, të cilat publiku i ndoqi me kënaqësi në skenat e teatrove amatore dhe kritika vuri në dukje suksesin e tyre, si: “Argëtim theatrues i tretë në Elbasan”, “Posta e Shqypnisë” 1918, “Fe e kombësi luhet në Korçë”, “Gazeta e Korçës” 1920, “Theatroja “Fe e kombësi”, “Koha” Korçë, “Bisedime theatrore”, “Ora” Tiranë etj.