Sterjo Spasse (1914-1989) ishte romancier dhe tregimtar shqiptar. Shkollën fillore e kreu në Korçë, për të vijuar më pas me shkollën “Normalja” në Elbasan. Një kohë punoi si mësues. Më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firence të Italisë dhe për letërsi në Bashkimin Sovjetik. Bashkë me Kutelin, Kokonën dhe Hakiun qe bashkëthemelues i të përkohshmes “Revista letrare” në Tiranë më 15 shkurt 1944.
Pas lufte punoi në Ministrinë e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Qemal Draçinin. Për disa kohë punoi në revistat pedagogjike dhe letrare: “Shkolla e re”, “Arsim
i popullor”, “Literatura jonë”, “Nëntori” etj., dhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Më vonë vijoi si shkrimtar me profesion të lirë. Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, hartoi tekste shkollore dhe u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, periudhë në të cilën Spasse u dallua për krijimtarinë e tij. Ai ka botuar katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Pse?” (1935), “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Vdiq në Tiranë në vitin 1989.