Andon Zako Çajupi (1866-1930) ishte poet, dramaturg, atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Lindi më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I ati Harito Zakos, ishte një tregtar duhani, i cili punonte në Kavallë dhe në Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar, Çajupi, nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë, mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite në liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që e bindën të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit, më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Vdekja e Eugjenisë më 1892 vdiq qe për të një humbje tragjike. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”. Çajupi kontribuoi edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “Përrallë nga e kaluara” dhe “Pas vdekjes”, shkruar më 1910 dhe botuar më 1937. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut” (1908), pastaj poema epope “Baba Musa Lakuriq” (1902) dhe shumë vepra të tjera. Ai njihet edhe si përthyes. Përktheu dhe botoi në shqip 113 fabula të La Fontenit. Në vitin 1922 botoi një përmbledhje poezish sanskrite të titulluar “Lule të Hindit”. U nda nga jeta më 1930.