Elena Gjika (Dora d’Istria) lindi në Bukuresht në vitin 1828 nga prindër shqiptarë. E bija e Mihal Gjikës vëllait të Princit të Vllahisë Grigor Gjika dhe e Katarinës, Elena Gjika mori një arsim të shkëlqyer, duke studiuar letërsinë së pari në Dresden të Gjermanisë, pastaj në Vjenë, Itali dhe së fundmi në Berlin ku u diplomua në fushën e letërsisë së vjetër greke me profesorin gjerman Alexander von Humboldt. Jetoi në Rumani, Rusi, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Ajo është femra e parë që u ngjit në majën më të lartë të Evropës “Mont Blanc” në vitin 1860. Një ndër femrat më të ngritura dhe inteligjente në kohën e saj, Elena u bë e njohur gati në tërë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore e studiuese. Anëtare e shumë shoqërive studiuesish, si Akademia Italiane etj., ajo u emërua edhe qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane. Ajo ishte revolucionare, kryengritëse, me shumë ide politike e sociale, që i paraprinin kohës së vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Xhuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit. Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare në nivel botëror. Shkrimet e saj ajo i publikonte në 6 gjuhë evropiane. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860), e cila u pasua nga vepra në gjermanisht “La Suisse allemande” (Zvicra gjermane, Gjenevë 1856, 4 Vëllime; Bot. II, Zyrih 1860, 3 Vëllime), një përshkrim i Zvicrës dhe popullit të saj, në një pjesë të së cilës përshkruan ngjitjen në malin Monk. Në shkrimin “Les femmes en Orient” (Gratë në Orient, Zyrih 1859, 2 Vëllime) dhe “Des femmes, par une femme” ajo shkruante për emancipimin e grave. Ajo gjithashtu botoi tregimin “Au bord des lacs helvétiques” (“Lundrim në liqenet zvicerane”, Gjenevë, 1861) dhe “Ekskursions en Rouméllie et en Moree” (Ekskursione në Rumeli dhe More, Zyrih 1863, 2 Vëllime).
Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës dhe përkrahu Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke mbajtur lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Në një varg studimesh: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d’après les chants populaires, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (Shqiptarët në Rumani, 1873) etj., ajo vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar për liri. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria – Gli Albanesi” (Dora d’Istrias-Shqiptarët, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
Elena Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor 1888.