Qiriazët ishin ndër ato familje të shumta shqiptare, që rrethanat, kushtet sociale, shtypja dhe ndjekja e vazhdueshme e një politike të egër nga ana e autoriteteve osmane ndaj popullsisë vendase i detyruan të lënë trojet e tyre në Peras të Kolonjës dhe të marrin rrugën drejt qendrës së vilajetit, Manastirit.
Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi ishin patriote dhe atdhetare shqiptare lindur dhe rritur në Manastir, megjithëse vazhduan studimet në Stamboll.
Sevasti Qiriazi lindi në vitin 1871. Ajo ishte e para grua shqiptare që studioi në kolegjin amerikan “Robert College” në Kostandinopojë në vitin 1891. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri për të hapur shkollën e vashave në Korçë. Ajo gjithashtu mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u bashkua me Lëvizjen e Rilindësve të Stambollit. Sevasti Qiriazi vdiq në vitin 1949.
Parashqevi Qiriazi lindi në vitin 1880. Ajo studioi në kolegjin amerikan në Stamboll dhe me të mbaruar studimet u kthye për të punuar si mësuese. Gjatë jetës së saj, ajo organizoi arsimin për fëmijë, hapi shkolla mbrëmjeje në Shqipërinë jugore dhe mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Manastirit. Parashqevi Qiriazi vdiq në vitin 1970.
Si pioniere të emancipimit të grave dhe vajzave shqiptare, motrat Qiriazi zënë një vend nderi në historinë e arsimit e kulturës shqiptare, edhe për faktin se e ngritën shkollën e tyre të vajzave në një kohë shumë të vështirë, kur në vend ekzistonte një prapambetje e madhe, dhe gruaja ndodhej e shtypur, e përbuzur, e lënë në injorancë dhe padituri. Gjithë jetën e tyre ia kushtuan edukimit dhe arsimit të grave shqiptare dhe si diplomate e përfaqësuan me dinjitet lëvizjen kombëtare dhe mbrojtën me kurajë diplomacinë evropiane.
Shkolla e vashave u hap më 7 mars të vitit 1891. Ajo u ndërtua si shkollë me program bashkëkohor, megjithëse të gjithë e dinin që ajo kishte karakter kombëtar për faktin se e ngritën jashtë çdo ndikimi të dasive fetare dhe të gjitha mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit Parashqevia botoi abetaren shqipe dhe arsimi në Shqipëri mori një hov të madh.
Si mësuese, motrat Qiriazi u shquan për pasionin, vullnetin, këmbënguljen, për qartësinë e misionit të tyre, për frymën e kërkesave për ta ngritur shkollën e vashave në nivelin më të mirë të shkollave të kohës. Parashqevia dha një shembull tjetër duke hartuar programe arsimore për qeverinë e Ismail Qemalit, që përbënte një rast të rrallë në fushën e mendimit pedagogjik. Programi i saj i kushtonte më tepër vëmendje mësimit, shkrimit e leximit në gjuhën shqipe e të aritmetikës. Shkollën filluan ta ndiqnin jo vetëm nxënëse nga qyteti i Korçës, por edhe nga fshatrat rreth e rrotull Korçës e rrethet fqinje.
Motrat Qiriazi themeluan shoqatën “Ylli i mëngjesit” në ShBA ku dhe botuan këngën e Alfabetit Shqip. Numri i parë i revistës “Ylli i Mëngjesit” doli më 15 janar 1917. Ajo kishte 32 faqe. Që në krye, poshtë titullit të revistës, jo pa qëllim, Parashqevi Qiriazi theksonte karakterin kombëtar , duke e paraqitur atë para lexuesve të huaj dhe bashkëatdhetarëve si “revistë dyjavore shqiptare, kushtuar ndriçimit e naltësimit të popullit shqiptar”. Në këtë revistë zinte një vend të rëndësishëm Fleta e editorit, të cilën e përgatiste vetë. Në rubrikë trajtoheshin probleme të arsimit, edukatës dhe parimeve morale. Parashqevi Qiriazi ka meritën se solli në shkrimet dhe revistën e saj mendimin më të përparuar arsimor të kohës.