Sami Frashëri (1850-1904) ishte poliglot, shkencëtar, mendimtar enciklopedist dhe kontribues i vyer, jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe atë turke. I njohur gjerësisht për botën si Shemsedin Sami, ai shkroi rreth 50 vepra në disa zhanre, si: studime shkencore, shkrime letrare e historike, publicistikë etj.
Samiu ishte ideologu kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare, dijetar, shkrimtar dhe publicist, zotërues i disa gjuhëve të huaja si turqisht, italisht, frëngjisht, latinisht, greqishte e re dhe e vjetër, arabisht dhe persisht. Drejtoi disa nga revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll 1884-1885) ku shkroi nje varg artikujsh. Hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika) dhe “Dheshkronjë” (Gjeografia 1888). Ai ka shkruar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” botuar më 1889 në Bukuresht. Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, bashkë me një dorëshkrim – përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i turki, 1901) me mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore. Samiu është gjithashtu edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht, turqisht-frëngjisht dhe arabisht – turqisht. Ka shkruar edhe drama e romane në gjuhën turke. Vepra më e rëndësishme është “Besa”, botuar më 1875, dhe vënë në skenë në teatrin perandorak në Stamboll. Ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta “Sabah” (Mëngjesi 1876) dhe “Hafta” (Java). Biblioteka e tij personale kishte 20 mijë vëllime. Vdiq në Stamboll më 1904, duke lënë në dorëshkrim 11 vepra, kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë.