Poeti lirik Zef Serembe (ital. Giuseppe Serembe, 1844-1901) ka qenë një shpirt i shqetësuar i parathënë për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Serembja lindi më 6 mars 1844 në Strigar (ital. San Kosmo Albanese) në krahinën kalabreze të Kozencës dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje.
Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d’Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur. Kudo që shkonte e kapte dëshpërimi, pa dyshim nga ndonjë depresion kronik apo ndonjë formë tjetër çrregullimi psikik, dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt.
Shumë nga veprat e Serembes, humbën gjatë ndërrimeve të shpeshta të vendbanimit. Në të gjallë ai botoi vetëm: Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese, Kozencë 1883 (Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja) në italishte e shqipe, Il reduce soldato, ballata lirica, Nju Jork 1895 (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje vetëm në italishte, dhe Sonetti vari, Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe Skiroit Arbri i Ri më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen Vjersha, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe. Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva të ndryshme në vitet e fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër fshatarët e Strigarit.
Gama tematike e tij përfshin lirika melodioze për dashurinë dhe himne për vendlindjen (qoftë Italia, toka e lindjes së tij, qoftë Shqipëria, toka e ëndrrave të tij), vjersha elegante për miqësinë dhe po ashtu për bukuritë e natyrës, si dhe vargje me frymëzim fetar. Lirikat që i kushtohen atdheut të humbur janë vjersha romantike me fymë kombëtare e me ndjenjë të ndezur malli. Të tilla janë edhe ato që i kushtohen Ali pashë Tepelenës, Dora d’Istrias dhe Domeniko Mauros. Ai ishte një poet i ndjenjës, e sidomos i vetmisë e i zhgënjimit.
Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq në vitin 1901 në Shën Pali, Brazili.