Më 12 maj të viti 1920 lindi në Berat Vexhi Buharaja, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, studiues, hulumtues dhe njohës i dhjetë gjuhëve kryesore lindore e perëndimore. Buharaja rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, pas kësaj vazhdoi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi te familja e tij në Berat. Familja e tij strehoi hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Në vitin 1965 punoi në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.
Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22-vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj.
Ka përkthyer një varg veprash që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë: aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima; letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri dhe veprën “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit.
Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67-vjeçare.
Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum) dhe Qytetar Nderi, kurse më 6 korrik 1994, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit morën emrin e tij.