Më 11 Maj 1771, lindi Dhaskalina Stavri Pinoti (Bubulina), gruaja që hyri në histori për trimërinë, mençurinë, bukurinë e personalitetin e saj.
Dhaskalina Pinoti  Bubulina ishte komandante e anijes luftarake “Agamemnom” me të cilën i dha ndihmë të madhe Ali Pashë Tepelenës, kur Janinën e rrethuan turqit. Ajo iu kushtua çështjes së çlirimit të kombit grek duke dhënë përveç ndihmës së saj heroike, edhe pasurinë e madhe trashëguar nga bashkëshorti. Arbërorët e Moresë, përveç heroizmave të saj, me të madhe lavdëronin edhe bukurinë e saj fizike.
Është e vetmja grua në histori që iu dha titulli i madh “Gruaja e Parë Admirale” nga perandori rus.
Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri. Italiani Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, si në det,ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kishin kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur. Historianët dhe biografët e saj thonë se Bubulina u jepte urdhra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatarët arbëreshë të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: “Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarsisë dhe veprimtarisë së shqiptarëve” theksonte se: “Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…”
Në ishullin Peca gjendet “Muzeu Bubulina” vendosur në ndërtesën 300-vjeçare të burrit të dytë, ku ende jetojnë pasardhësit e saj. Statuja e saj qëndron në port në Pecës. Rrugë të ndryshme në të gjithë Greqinë dhe Qipron janë emëruar për nder të saj.
Për Bubulinën janë ngritur shtatore, figura e saj është përdorur në kartëmonedhat greke dhe janë realizuar edhe dy filma, i fundit në vitin 2005.

Shfleto më tepër