Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga në fjalën e saj të parë në panelin e dytë të takimit “Mësues në Diasporë”, foli për rëndësinë e ndihmës së institucioneve përfaqësuese të shtetit amë në mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe. Hajdaraga u shpreh e gatshme për të dhënë maksimumin për të nxitur procesin e mësimin e gjuhës amtare, duke e cilësuar si një nga punët e saj të preferuara në institucionin që ajo drejton.
“Kam kënaqësinë e veçantë të jem pjesë e këtij takimi sepse procesi i mësimdhënies së mësimit të gjuhës shqipe është një nga punët më të bukura në institucionin që unë drejtoi. Pavarësisht vështirësive të viteve të fundit ambasada ka dhënë ndihmesën e saj në procesin e mësimdhënies, gjithashtu ndihmesë për mësuesit me pajisjen me bazë materiale. Gjatë vitit shkollor 2020-2021 janë shpërndarë tekste shkollore në vende të ndryshme në Greqi ku funksionojnë shkollat e mësimit të gjuhës shqipe. Gjithashtu është dhënë ndihmesa nga ana jonë për sigurimin e ambienteve për procesin e mësimit, si dhe jemi munduar të marrim sa më shumë informacion mbi programet mësimore. Hapja e një qendre kulturore shqiptare në Athinë është një projekt shumë i rëndësishëm që Ambasada jonë ka në plan dhe në këtë qendër mësimin i gjuhës shqipe, patjetër që do të ketë një hapsirë të rëndësishme. Ne do të jemi përkrahës për të gjitha nismat që nxisin mësimdhënien e gjuhës shqipe në Diasporë. Gjithashtu në objektivat tona do të jetë edhe njohja e diplomave të mësuesve të gjuhës shqipe nga shteti grek. Gjithashtu doja të parashtroja një kërkesë për institucionet shqiptare, njohjen e viteve të punës për mësuesit në Diasporë. Ambasada dhe unë personalisht jemi të hapur për bashkëpunime në mbështjetje të mësimit të gjuhës shqipe”, u shpreh Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.