Diskutimi për shkrimtarët e diasporës ka kuptim vetëm nëse kemi guximin mendor të rilidhemi me të kaluarën tonë dhe të rikujtojmë se ne jemi një nga popujt me diasporak dhe shtegtarë të Ballkanit dhe Europës.

Në fakt vetë ideja e Shqipërisë si ideal bashkëkohor lindi “jashtë saj”, në Itali tek Arbëreshët. Ai ideal u kthye ne platformë konkrete dhe u ushqye nga patriotët, filozofët, poetët, tregtarët, shtypshkronjësit tanë Stamboll, Kajro, Boston, Sofie, Bukuresht.

Në vitet ’30 mund të themi se “harmonia” e vendosur mes mërgatës dhe kombit metropolitan ishte e lakmueshme: mërgata nuk ishte vetëm “vaji i kurbetit”, por edhe qendra shpesh pararojë e mendimit politik, estetik dhe vegimit për të ardhmen e atdheut që po luftonte të kapte trenin e epokës moderne.

Pastaj ndodhi fraktura e madhe dhe totalitare gjysmëshekullore.

Mërgata jonë aq jetike për kombin u stigmatizua si “mërgata e qyqeve” nga shkrimtarët e realizmit socialist.
Prandaj është ende e vështirë të bëjmë një debat të plotë për letërsinë e diasporës, sepse tek ne ka ndodhur një frakturë e jashtëzakonshme që shpesh nuk duam ta kuptojmë. Diaspora jonë u vyshk si një lule që i janë prerë rrënjët, sepse Atdheu u kthye për gjysmëshekulli në burg me kufij të pakalueshëm. Pas pesëdhjetë vjetësh të terrorit stalinist në vend të elitave kozmopolite dhe të hapura ndaj botës së viteve ’30, Shqipëria u gjet ose pa elita fare ose me elita burokratike thellësisht provinciale dhe armiqësore, kryesisht kundër diasporës.

Mes diasporës së re dhe të vjetër qëndron në mes një bunker i madh. Sfida jonë sot, si njerëz të letrave dhe të librave, tani që diaspora jonë po ringjallet dhe po mundohet të gjejë sërish identitetin e saj të lëkundur duke ndërtuar urat e komunikimit me Atdheun, është të zëvendësojmë bunkerin me biblioteka dhe librari. Sepse fatkeqësisht jemi një komb që ende lexon pak. Me kujtohen fjalët e poetit dhe eseistit të madh Xhozef Brodskit, Hebreut Rus të vetësyrgjynosur në Amerikë: “kombet që nuk lexojnë i paguajnë haraç të rëndë historisë”.
Siç tregon përvoja e shkrimtarëve të diasporës ne vazhdojmë të shkruajmë qoftë edhe në mungesë të lexuesit shqiptar.
Do e presim dhe grishim lexuesin dhe lexuesen me durim.
Sepse diçka thelbësore që të mëson mërgimi është durimi dhe këmbëngulja pa kufi.