Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, prezanton botimin në pesë gjuhë të huaja të “Tregimeve të moçme shqiptare”, një prej veprave më mbresëlënëse e më të dashura të letërsisë shqipe të çdo moshe, trashëgim monumental nga pena e rrëfimtarit mjeshtëror Mitrush Kuteli. Qendra e Botimeve për Diasporën ka realizuar botimin dygjuhësh të dhjetë tregimeve të përzgjedhura nga “Tregime të moçme shqiptare” në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Ky botim është përgatitur për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe jashtë vendit.
“Qendra e Botimve për Diapsorën ka si mision përhapjen dhe mbështetjen e gjuhës shqipe jashtë vendit duke filluar nga fëmijët, por nuk përjashtohen edhe të rriturit. Për këtë arsye Qendra, përpos teksteve shkollore ndihmuese për mësimin e gjuhës shqipe ka hapur programin dygjuhësh, i cili do t’i ndihmojë fëmijët në Diasporë që të lexojnë lehtësisht si në gjuhën e vendit ku jetojnë dhe paralelisht në gjuhën shqipe. Ne kemi 2 vjet që jemi hapur si qendër dhe kemi një katalog me 50 botime. Programi dygjuhësh është më i suksesshmi dhe më i kërkuari. Këto botime ne i ofrojmë falas dhe të sghkarkueshëm online në faqen tonë të web-it, kështu kushdo mund t’i aksesojë shumë lehtë”, shprehet znj. Hysa.

Tregimet janë përkthyer në pesë gjuhë të huaja për të qenë sa më afër me brezin e ri të Diasporës dhe për të pasuruar gjuhën e tyre.
“Sa i përket përkthimit, prirja jonë ishte që përkthimi nga shqipja në gjuhë të huaj të vinte përmes përkthyesve të huaj. Jam shumë shpresëplotë se kanë ardhur mirë edhe në gjuhë të huaj. Për përkthimin në frëngjisht ka punuar Evelyne Noygues, Andrea Grill në gjuhën gjermane, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke. Teksti është shoqëruar me ilustrimet e Gazmend Lekës” shprehet ndër të tjera znj. Mimoza Hysa.

Në këtë intevistë znj. Hysa prezanton edhe një pjesë programit të botimeve të librave dygjuhësh të përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën:
Fjalorin dygjuhësh për fëmijë në 9 gjuhë, përkatësisht: shqip-italisht, shqip-anglisht, shqip-greqisht, shqip-frëngjisht, shqip-gjermanisht, shqip-kroatisht, shqip-spanjisht, shqip-turqisht dhe shqip-ukrainisht;
Serinë “Klasikët dygjuhësh”, për të cilët janë blerë të drejtat nga shtëpisë botuese spanjolle “LIBSA”. Përrallat klasike janë sjellë në variant dygjuhësh në 18 botime në 5 gjuhë (shqip-italisht, shqip-anglisht, shqip-greqisht, shqip-gjermanisht, shqip-frëngjisht).