“Edukimi dhe Menaxhimi i Sistemit Arsimor gjatë COVID-19 dhe Kontributi i Diasporës nga Gjermania” ishte tema e takimit virtual me profesionistë të edukimit në Kosovë, Shqipëri dhe Gjermani, organizuar nga “GERMIN”.
Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, ishte pjesë e këtij diskutimi për mësimdhënien, e ftuar në cilësinë e panelistes për të trajtuar mundësitë e sfidat e bashkëpunimit dhe angazhimit profesional në vendet e origjinës, duke pasur parasysh dëmet të shkaktuara nga COVID-19.
“Jam e nderuar që jam në këtë bashkëbisedim, në këtë kuvend të gjerë, me pjesëmarrës nga të gjitha vendet. E nderuar, se flasim të gjithë të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga origjina jonë… “, u shpreh znj. Hysa, e cila duke falënderuar “Germin” për punën e bërë kushtuar Diasporës, bëri një prezantim të shkurtër të QBD-së, duke e vënë theksin që përkushtimi kryesor i këtij institucioni ka qenë më së pari plotësimi i nevojave të shkollave shqipe jashtë trojeve shqiptare me tekste shkollore, materiale të tjera shtesë didaktike etj. Qendra ka vijuar punën e saj njëkohësisht duke pasur në fokus një element shumë të rëndësishëm të mësimdhënies në Diasporë që është dygjuhësia, në kuadër të së cilës ajo ka hartuar e botuar fjalorët dygjuhësh, ka filluar botimin e serisë “Klasikët dygjuhësh”, botimin dygjuhësh “Tregime të moçme shqiptare” në pesë gjuhë të huaja etj.
Takimi u organizua në bashkëpunim me “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” (GIZ).
Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe z. Dukagjin Pupovci, njohës dhe ekspert i fushës së arsimit, i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e tij në këtë fushë në Kosovë; znj. Feime Llapashtica, udhëheqëse e divizionit për planprograme dhe kurrikula; z. Muhamet Idrizi, si doktorant dhe mësimdhënës në Universitetin Ushtarak në Gjermani si dhe znj. Adriana Bejko, si Ambasadore e Kombit dhe sekretare e zyrës ndërlidhëse për Diasporën.
“Germin” është një organizatë joqeveritare që përmes rrjeteve të Diasporës kërkon të ndikojë në zhvillimin dhe forcimin e lidhjeve midis diasporës, qytetarëve dhe qeverive.
Ndiq takimin online.