Përgjatë vitit të parë të punës së saj, Qendra e Botimeve për Diasporën, realizoi një mision të rëndësishëm të përmasave mbarëshqiptare: pajisjen me tekste mësimore të gjuhës e kulturës shqiptare të shkollave të gjuhës shqipe në Diasporë.

Falë një pune intensive dhe të përkushtuar, bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, u arrit për herë të parë dhe në kohë rekord pajisja me 12 000 tekste mësimore të nxënësve në 19 shtete të ndryshme, për vitin shkollor 2019-2020.

Veç kësaj, QBD-ja bëri të mundur edhe pajisjen me materiale plotësuese në gjuhën shqipe, të përzgjedhura me kujdes dhe posaçërisht për fëmijët shqiptarë në Diasporë.

Për vitin shkollor 2020-2021, Qendra e Botimeve për Diasporën, në kuadër të pajisjes në kohën e duhur të nxënësve në Diasporë me tekste mësimore dhe materiale plotësuese në gjuhën shqipe, rikujton të gjithë mësuesit në Diasporë se duhet të paraqesin kërkesën e tyre për tekste në selinë diplomatike përkatësisht të vendit ku gjenden, duke saktësuar titujt e teksteve dhe sasinë e nevojshme të tyre. 

Për katalogun e teksteve mësimore dhe katalogun me libra plotësues për mësimdhënien në Diasporë që ofron QBD-ja për shqiptarët e Diasporës, si dhe për çdo paqartësi a hollësi të mëtejshme mund të na kontaktoni përmes email-it zyrtar të Qendrës së Botimeve për Diasporën: info@qbd.gov.al