660 fjalorë dygjuhësh Shqip-Ukrainisht të botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe pajisje për Qendrën e Informacionit të Shqipërisë në Universitetin Humanitar Shtetëror të Izmailit, janë nisur drejt Ukrainës nga Agjencia Kombëtare e Diasporës në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Universitetin Humanitar Shtetëror të Izmailit.

Fjalori dygjuhësh për fëmijë, shqip-ukrainisht është përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe përkthyer nga  Anastasia Zakoretskaya. Ai është konceptuar për fëmijë të moshës deri në 6 vjeç dhe shoqërohet me ilustrime të përzgjedhura me kujdes për t’i qartësuar dhe për t’i konkretizuar edhe më shumë fjalët duke i bërë ato edhe më të kuptueshme për fëmijët.
Ky fjalor synon t’u japë fëmijëve të Diasporës një lëndë të pasur për të përmirësuar njohuritë e tyre në gjuhën shqipe, por gjithashtu mund të jetë shumë i vlefshëm edhe në procesin e mësimdhënies.

Memorandumi i Bashkëpunimit parashikon krijimin e Qendrës së Informacionit të Shqipërisë në Universitetin Humanitar Shtetëror të Izmailit, me qëllim për të nxitur organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në Ukrainë.

Disa nga detyrat e kësaj qendre janë: Organizimi dhe kryerja e eventeve që synojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh, mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e kulturës dhe traditave kombëtare të popullit shqiptar; informimin e qytetarëve te Ukrainës për ngjarjet kryesore në sferat publike sociale, ekonomike, kulturore, arsimore të Shqipërisë; krijimin e kushteve për studimin e gjuhës shqipe nga studentë, mësues si dhe grupe të interesuara nga jugu i rajonit të Odesës; fillimin dhe realizimin e projekteve të diplomacisë publike dhe kulturore;  bashkëpunimin me qendrat e Informacionit të shteteve të tjera në kuadër të projekteve të Universitetit Humanitar Shtetëror të Izmailit; bashkëpunimin me institucionet shqiptare për Diasporën për realizimin e detyrave kryesore dhe misionit të saj etj.