Më 1 qershor të vitit 1839 lindi Abdyl Frashëri, ideolog i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atdhetar, ushtarak, deputet shqiptar në Parlamentin Osman. Vëlla i dy personaliteteve më të njohura shqiptare të kohës, Naim dhe Sami Frashëri, Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo Kriza Lindore rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare. Në fund të vitit 1877, duke qenë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Abdyl Frashëri u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, në janar të viti 1879, i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892.
181 vjet më parë lindi Abdyl Frashëri
Comments are closed.