Më 3 Qershor 1999, u nda nga jeta Mihal Hanxhari shkrimtar, përkthyes, bibliotekist dhe mësues i gjuhës shqipe.
Lindi në Kentaki të SHBA-së, ku babai i tij kishte emigruar më 1907. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Budapestit për histori e gjeografi në vitin 1954.
Pas diplomimit në vitin 1954, u kthye në Shqipëri dhe mori detyrën e mësuesit të shkollës së mesme fillimisht në Korçë dhe më pas në Tiranë. Më 1960 u emërua drejtor i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës ku kreu një punë të shkëlqyer për ngritjen në nivele evropiane të bibliotekës së Universitetit të Tiranës.
Në vitet 1993-1995 mbajti leksione të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris ku dhe vdiq.
Si shkrimtar, Mihal Hanxhari u zbulua vetëm pas vdekjes së tij në qershor të vitit 1999. Veprat iu botuan nga familjarët dhe miqtë. Vepra e tij poetike, e çmuar më pas, është krejt e pazakontë sa i takon letërsisë shqiptare të kohës së tij. Elsie shkruan se tek ai gjenden ndikime të Kavafisit dhe haikut japonez.
Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi, tri vëllime me proza poetike dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botëror, si: Shakespeare, Tagore, Wilde, Baudelaire, Gide etj. Dorëshkrimet e tij u botuan në vëllimin “Mihal Hanxhari: njeriu dhe vepra” më 2004 dhe vëllimet poetike “Se sytë e mi kështu e shohin botën”, “ Na ishte njëherë”, “Ti vdekja ime mbushur me jetë”, “Gdhend një statujë”.