Më 29 qershor lindi në Vankuvër të Kanadasë albanologu, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur gjerman Robert Elsie.
Elsie ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike në Kanada, ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe gjuhësisë më 1972. Shkoi në Evropë me një bursë studimesh, ku vazhdoi studimet e larta në Berlin, Paris, Dublin dhe Bon, ku mbrojti doktoraturën më 1978.
Që nga viti 1978 vizitoi Shqipërinë disa herë në kuadrin e takimeve shkencore midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe mori pjesë vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare, punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bonn dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës, si përkthyes. Anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai renditet ndër emrat më të njohur dhe më kontribues në albanologji.
“Dictionary of Albanian Literature” 1986 dhe “History of Albanian Literature” 1995 janë ndër botimet e tij të para. Ka botuar përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, si: në vëllimin e UNESCO-s “An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry” (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), 1993; “Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare)”, Tiranë 1994; veprat poetike të Migjenit (1911-1938) përkthyer në anglisht dhe në gjermanisht; një antologji gjermanisht të poezisë shqiptare “Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot”, 1988; si dhe vepra të poetëve kosovarë, si: Ali Podrimja, Flora Brovina etj.
Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin “Studies in Modern Albanian Literature and Culture”, i cili doli në shqip me titullin “Një fund dhe një fillim”, Tiranë & Prishtinë 1995.
Përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh “Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit”, 1997.
Elsie u përqendrua edhe në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij “Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture” Londër 2001, i cili doli edhe në gjermanisht dhe në shqip në vëllimin “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, Tiranë 2005.
Botoi Kanunin në gjermanisht, “Der Kanun: das albanische Geëohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini” (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001.
Zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), “Histoire de l’Albanie” që doli në shqip në vëllimin “Historia – më e vjetër – e Shqipërisë”, Tiranë 2004. Zbuloi dhe botoi dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) “Udhëtime nëpër Ballkan”.
Botoi një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme “Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17”.
Elsie është nderuar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit në Kosovë dhe me Medaljen e Mirënjohjes (Shqipëri, 15 maj 2013) nga Presidenti i Shqipërisë për kontributin e tij 35-vjeçar si studiues, duke promovuar ndërkombëtarisht “kulturën, gjuhën, letërsinë dhe historinë e shqiptarëve” së bashku me “imazhin pozitiv të Shqipërisë në botë”.
U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të prehej në Shqipëri.