Qendra e Botimeve për Diasporën merr pjesë në Kuvendin Europian të shkëmbimit të përvojave të mira mbi projektin e “Words4link – shkrimtaria e mërgimtarëve për integrimin”, një projekt i rëndësishëm ky pjesë e të cilit do të jenë shkrimtarët shqiptarë në emigracion dhe QBD-ja.

Ky projekt i financuar nga Komuniteti Europian synon të bashkojë në një rrjet të përbashkët shkrimtarë emigrantë të vendeve të ndryshme që shkruajnë në gjuhën italiane. Projekti synon t’i japë zë letërsisë së migracionit, veprave të tyre dhe shkëmbimit të përvojave. Në rrjetin e krijuar nga projekti bëjnë pjesë dhe shumë shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë në gjuhën italiane.

Në Kuvendin e parë, që u mbajt dje, më 18 tetor, në një nga sallat e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Romë, të organizuar për të diskutuar rreth vijueshmërisë së projektit ishin të ftuar studiues, kërkues shkencorë, shkrimtarë nga vende të ndryshme të botës si dhe drejtuesit e projektit. Gjithashtu, ishin të ftuar për të ndarë përvojat dhe për të vendosur bashkëpunimin për vijueshmërinë e projektit edhe drejtues të institucioneve kryesore që kanë në fokus migrimin dhe diasporën.

E ftuar për të marrë pjesë nga Shqipëria ishte dhe Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa, si dhe Sekretarja e Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, Ledia Mirakaj. Znj. Hysa i njohu drejtuesit e projektit me punën e QBD-së për krijimin e rrjetit të shkrimtarëve shqiptarë nëpër botë, si dhe diskutoi për përfshirjen e shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhën italiane në laboratorët krijues që do të parashikohen në vijueshmëri të projektit. Drejtuesit e “Words4link – shkrimtaria e mërgimtarëve për integrimin”, prezantuan gjithashtu shkrimtarët shqiptarë të përfshirë në rrjetin e krijuar nga projekti.

Shih faqen e projektit.