Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane fton shqiptarët kudo janë që të ndajnë historitë e tyre në këto kohë të pandemisë kur të gjithë kemi nevojë më shumë se kurrë të komunikojmë dhe të jemi më pranë njëri-tjetrit.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale ku thuhet se kjo organizatë po krijon një platformë mediatike për të gjithë anëtarët e Diasporës shqiptare. Pjesë e kësaj plaforme do të jenë histori dhe artikuj për Shqipërinë, recensione të librave, rrëfime të historive personale etj., thuhet në njoftim.
Kjo nismë është mbështetur veçanërisht nga anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe njëkohësisht drejtues i katedrës së Albanologjisë në Universitetin DePaul, autori i njohur Gazmend Kapllani.
Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane është një organizatë e re e themeluar së fundmi në Universitetin DePaul në Çikago nga studentët shqiptaro-amerikanë të universiteteve e kolegjeve në Çikago.