Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një ndër Lidhjet më të organizuara politike mbarëkombëtare pas Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në historinë e popullit shqiptar të kohës së re konsiderohet si tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.
Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës, i cili i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur atdheun nga rreziku i asgjësimit.
Kuvendi i Prizrenit përmbushi një mision historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën e mbrojtjes së interesave të vendit me çdo mjet. Po atë ditë u miratua teksti i një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.
Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj, krijoi një front të gjerë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë një forcë e organizuar, duke fituar një autoritet të padiskutueshëm tek populli në mbarë vendin. Ajo mbrojti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi. Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë, e Hotit dhe e Grudës.