Më 1 korrik 1646, në Leipzig të Gjermanisë, lindi Gottfried Wilhelm Leibniz, filozof dhe matematikan, i cili ndër të tjera ishte edhe albanologu i parë që trajtoi problemet e origjinës së gjuhës shqipe, lidhjen e saj me gjuhët tjera indoevropiane, dhe individualitetin e saj si gjuhë në vete. Mendimet mbi shqipen, Leibniz i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705-1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës. Me gjithsej 5 letra të tij mbi shqipen, Leibniz është ndër të parët, në mos i pari albanolog që e vendosi shqipen në hartën e botës së studimeve gjuhësore.
Si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vëmendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marrë me studime në fushë të shqipes. Shkroi kryesisht frëngjisht e latinisht, dhe pak gjermanisht. Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pabotuara, dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESCO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi Çmimin Leibniz, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1 milionë e 550 mijë euro për rezultate praktike dhe 770 mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë për arritje shkencore.
Në foto, portreti i Gottfried Wilhelm Leibniz nga Christoph Bernhard Francke, rreth vitit 1695.