Mjaft autorë që dhanë një kontribut të rëndësishëm në letrat shqipe mërguan për t’u arsimuar dhe për t’i shërbyer shqiptarisë përmes përhapjes së dijes dhe kulturës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i shërbyer bashkëkombësve përmes arsimit, shkrimit, dijes dhe kulturës.
Isuf Luzaj (1913-2000) ishte arsimtar, shkrimtar, veprimtar dhe filozof shqiptar. Një figurë komplekse ku ndërthuret mësuesi, poeti, politikani, filozofi, sociologu, psikologu, rrëfimtari, me një prodhimtari të habitshme, që kërkon njohje dhe studim.
Një vështrim i hollësishëm mbi veprimtarinë dhe rrugëtimin e tij këtij autori, jo shumë të njohur për lexuesin, na vjen përmes ciklit të shkrimeve “Rrugët e Diasporës në letra”, përgatitur nga studiuesja dhe shkrimtarja Mimoza Hysa.
“Për Luzajn vendlindja është “atdheu i zemrës” dhe si i tillë ekziston te çdo qenie të gjallë. Vendlindja nënkupton jo vetëm vendin fizik, por mbi të gjitha atë shpirtëror, ku dëgjohen për herë të parë ninullat, këngët, përrallat; është vendi ku të gjitha fytyrat janë të njohura dhe të dashura. …Figura e mësuesit është shumë e shenjtë për Luzajn dhe perfeksionimi i kësaj figure e çon drejt udhëheqësit shpirtëror të brezit të ri. Luzaj e ngre figurën e mësuesit drejt profetit, vend që, sipas tij, do t’ia japë historia në një shoqëri të emancipuar. Pikërisht kësaj figure i beson ardhmërinë dhe përparimin e vendit të tij”, shprehet autorja e shkrimit znj. Hysa.
Isuf Luzaj lindi në Kaninë të Vlorës, më 21 shkurt 1913. I ati, hoxhë i arsimuar në Stamboll, u bë mësuesi i parë i tij. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Ujin e Ftohtë. Më 1933 ndoqi studimet në liceun “Louis Le Grand”, në Sorbonë të Francës, që për arsye ekonomike i përmbylli me shkëputje, duke u diplomuar profesor i Filozofisë dhe i profesor i Letërsisë. Punoi mësues në Normalen e Elbasanit dhe në shkollën e mesme qytetase të Korçës. Më 1937, botoi vëllimin e parë poetik “Rrëfimet”. Më 1940-1944 pati një veprimtari të ngjeshur si luftëtar e patriot në luftën për çlirim nga fashizmi. Arrestohet në Itali, por lirohet në korrik të vitit 1942, me ndërmjetësinë e Ernest Koliqit, ish-profesorit të tij në Shkodër. U kthye në Vlorë, ku ishte nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve në fuqi. Më 1944, u largua nga Shqipëria. Punoi në Bibliotekën e Vatikanit dhe si profesor në Universitetin Gregorian dhe në Universitetin Bokoni të Milanos. Më 1948u vendos në Buenos-Ajres. Për merita në punë, u zgjodh këshilltar i ministrit të Arsimit dhe drejtues i reformës arsimore në shkollat e mesme. Me iniciativën e tij u krijua Instituti francez “La France a l’etranger”, më 1956. Botoi romanin “Los Rios Bajan Rojos” (“Lumenjtë zbresin të kuq”).
Më 1965, Luzaj u largua në Amerikë, ku vijoi karrierën si profesor filozofie dhe krijimtarinë në gjuhën shqipe. Vdiq në Çikago, më 27 nëntor 2000. La amanet të varrosej në Vlorë, në vendlindjen e tij.
Me miratimin e tij, sa qe gjallë, përpos botimeve të dy veprave të para: “Rrëfimet” (1937) dhe “Lumenjtë zbresin të kuq” (1956), u botuan edhe veprat: “Gloria e çmendur” (1995), poemë; “Ekzistenca dhe boshësia” (1996), mendime filozofike; “Sëmundjet e shekullit tonë” (1999), ese filozofike; për të pasuar pas vdekjes së autorit me: përmbledhjen më të rëndësishme poetike “Lamtumira e yjeve” (2001) etj.