Albanologu i mirënjohur Robert Elsie, shkrimtar, përkthyes e studiues, në faqen e tij të internetit ka lënë një informacion të pasur dhe të mirëkujdesur për të dhe botimet e tij: libra, artikuj shkencorë, recensime dhe intervista. Shumica e këtyre teksteve mund të shkarkohen nga interneti në formatin PDF. Në këtë faqe, gjenden gjithashtu të dhëna të dobishme dhe të organizuara më së miri, për gjuhën, historinë artin e popullin shqiptar.
Një shembull i tillë është faqja kushtuar gjuhës shqipe, e cila u ofron dëgjuesve incizime zanore të shqipes nga rajonet e ndryshme të botës shqipfolëse e të dhëna të tjera. Mjaft e vlefshme jo vetëm për studiuesit e të pasionuarit me gjuhën, por edhe për mësuesit në shkollat shqipe në Diasporë, të cilët punojnë me nxënës nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe përballen me një larmi të folmesh.