Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), më 30 janar 2021 mbajti takimin e radhës me anëtarët e saj, ku e pranishme ishte edhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën (QBD) znj. Mimoza Hysa.
Takimin e KKAD-së e hapi kryetari i saj, dr. Vaxhid Sejdiu dhe, pasi i përshëndeti të pranishmit, përgëzoi znj. Hysa, për punën dhe angazhimin e QBD-së , veçanërisht për “miratimin e paketës së plotë të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, si dhe kriteret e përzgjedhjes së recensuesve të teksteve mësimore”.
Në fjalën e saj znj. Hysa njoftoi anëtarët e Këshillit me punën dhe aktivitetin e QBD-së, gjatë vitit të kaluar me theks të veçantë raportin e vitit 2020. Ndër të tjera, ajo foli për formën, kompetencat, rregullat në kuadër të QBD-së, si dhe për Paketën e dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, për fazën përmbyllëse të punës së Komisionit, që arriti t’i përmbushë detyrat e përcaktuara në VKM, bazuar në Marrëveshjen e përbashkët të komisionit të dy shteteve tona shqiptare, Shqipëri-Kosovë.
Prof. dr. znj. Adriana Bejko Fishta, pasi mori fjalën u ndal në sqarimin e disa pikave të Rregullores së miratuar më 15 janar të këtij viti, në prani të ministrit të Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, kurse Mustafë Krasniqi nënkryetari i KKAD-së u ndal te pika e parë, duke iu referuar nenit 13, të pikës 1 të rregullores, ku shtoi se: “ne si Këshill, kemi të drejtë në të ardhmen, në bazë të propozimeve dhe kërkesave të anëtarëve të angazhohemi në realizimin e tyre. Një prej tyre, është puna në sektorë: Sektori i informimit, Sektori pedagogjik dhe Sektori i organizimeve”.
Krasniqi kërkoi që kryetarët e këtyre sektorëve t’i mbledhin të gjitha propozimet dhe, në një afat të caktuar të bëjnë projekt-idetë e tyre për vitin 2021. U theksua se duke qenë se KKAD-ja është pjesë e konsultimeve dypalëshe, atëherë Kryetari dhe vetë Kryesia duhet të jenë të informuar për punën dhe vijueshmërinë e saj, për platformën digjitale dhe tekstet shkollore. Ndërsa për hartimin dhe miratimin e disa nënrregullave për një funksionim sa më të mirë të brendshëm të KKAD-së, u dha kohë deri në fund të javës.
Po ashtu, u bisedua në detaje dhe u dhanë disa propozime rreth pikave 3,4 dhe 5, për planin dhe programin vjetor, arkivin e KKAD-së, materialet didaktike dhe të portalit zyrtar të Këshillit.
Në këtë takim kishte edhe shumë pyetje, të cilat iu drejtuan drejtoreshës së QBD-së, znj. Hysa, për mënyrën e funksionimit, seleksionimin e materialeve për botim qoftë në faqen e QBD-së apo në faqen e KKAD-së dhe, detyrat në të ardhmen.