Një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, një ditë para ditës së Pavarësisë së Kosovës përmbushet një prej pikave më të rëndësishme të marrëveshjes së përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për tekste të përbashkëta për diasporën. Paketa e dokumenteve për hapjen e konkursit është miratuar dhe firmosur nga të tre ministrat përgjegjës: Ministri i Arsimit dhe Shkencës të Kosovës z. Ramë Likaj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Evis Kushi dhe ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko. Kjo paketë përmban dokumentet rreth procedurave të zhvillimit të konkursit të teksteve mësimore për Diasporën, kriteret e recensuesve, si dhe shpalljen e konkursit për tekstet mësimore për Diasporën hartuar nga “Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve të Përbashkëta për Diasporën”.
Komisioni, në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, datë 23.03.2015, “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”; të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.11.2017, “Për bashkëpunimin në fushën e diasporës”; bazuar në Urdhrin për ngritjen e grupit të punës nr. 2-1151, datë 7.07.2020, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Kosovës; në Urdhrin nr. 3752, datë 22.07.2020, të Ministrit të Shtetit për Diasporën i Republikës së Shqipërisë “Për koordinimin nga ana e Qendrës së Botimeve për Diasporën të veprimtarisë së Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Hartimin dhe Miratimin e Teksteve për Diasporën”; në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 756, datë 23.9.2020, “Për funksionimin e Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve të Përbashkëta për Diasporën”, arriti të përmbushë misionin e tij, duke miratuar paketën e plotë të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, si dhe kriteret e përzgjedhjes së recensuesve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën.
“…Ky bashkëpunim i Kosovës dhe Shqipërisë po tregon edhe një herë se diaspora shqiptare është në agjendën e dy shteteve, në mënyrë që të ofrojmë mësim plotësues në gjuhën shqipe sa më cilësor për fëmijët tanë, kudo që ata jetojnë.”, është shprehur z. Ramë Likaj.
Paketa e dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, përpos standardeve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën, të miratuara më parë, përmban dhe procedurën e aplikimit të pjesëmarrësve në konkurrim, procedurën e pranimit të teksteve mësimore për konkurrim, dokumentacionin ligjor të subjekteve pjesëmarrëse në konkurrim, procedurën e vlerësimit të teksteve mësimore nga recensuesit, deklarimin mbi çmimin e teksteve mësimore, procedurën e hartimit të listës paraprake të fituesve; procedurën e ankimimit të vendimit, detyrimet e shtëpive botuese, konfliktin i interesit etj.
Komisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë, përbëhet nga znj. Shqipe Gashi, MASH, Republika e Kosovës; z. Arbër Salihu, MASH, Republika e Kosovës; znj. Feime Llapashtica, MASH, Republika e Kosovës; z. Isni Kryeziu, MASH, Republika e Kosovës; z. Ymer Avdiu, Ministria e Punëve të Jashtme, Republika e Kosovës; znj. Anila Ferizaj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Altea Tahiraj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Erida Koleci, ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Republika e Shqipërisë; znj. Evis Mastori, ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Republika e Shqipërisë dhe znj. Mimoza Hysa Çuliqi, QBD (Qendra e Botimeve për Diasporën), Republika e Shqipërisë përmbushi detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për një politikë të përbashkët për mësimdhënien në diasporë dhe më anë të kësaj pakete të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, tashmë i ka hapur udhën krijimit të këtyre teksteve, duke afruar kohën në të cilën ato do të jenë në duart e nxënësve në Diasporë.
Diaspora, tekste të unifikuara mësimore për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare
Comments are closed.