Qendra e Botimeve për Diasporë sjell falas online përkthimin e rrëfimeve më të dashura nga letërsia shqipe për fëmijë, me autor Mitrush Kutelin. Përrallat e “Tregimeve të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-italisht, përkthyer nga Eugenio Scalambrino dhe redaktuar nga Renata Martini në gjuhën italiane. Së shpejti dhe në shtyp.
“Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e projektit të botimeve dygjuhëshe, ndërmarrë nga QBD-ja. Dhjetë tregime të përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin, të përkthyera në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht.
Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe. Vepra e njeh brezin e ri të Diasporës me një autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si dhe me një gjuhë të pasur, duke kultivuar ndjenjën e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në Diasporë, duke i njohur ata me pasurinë e tregimeve të moçme shqiptare, si dhe me madhështinë e trashëgimisë sonë popullore. Botimi përfshin ilustrimet e Gazmend Lekës.
Në këtë projekt janë angazhuar përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe: Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke.
Përkthyesi Eugenio Scalambrino është nderuar me çmimin “Isuf Vrioni”, me mirënjohje për kontributin e vyer në përcjelljen italisht të prozës shqipe, të traditës dhe të bashkëkohësisë. Ai ka përkthyer në italisht një sërë emrash mjaft të njohurtë letërsisë shqipe, si: Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Preç Zogaj, Diana Çuli etj.
“Kur m’u ofrua mundësia e redaktimit të kësaj vepre, e pashë si një rast unikal për t’i dhënë lexuesit në diasporë (në gjuhën italiane, në rastin tim), një nga veprat më të bukura që kanë shoqëruar adoleshencën e fëmijëve të mi. Gjuha tejet e zgjedhur e Kutelit, e sjellë mjeshtërisht në përkthim, të krijon po ato ndjesi që ndjen lexuesi shqiptar kur transformohet herë në një hero e herë në një tjetër, duke e harruar kohën për një çast e duke fluturuar nga mali në mal në krahët e fantazisë”, shprehet ndër të tjera Prof. Dr.. Renata Martini, redaktorja në italisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-italisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Prof. Dr. Renata Martini është diplomuar në Historinë e Gjuhës Italiane, në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin “La Sapienza” në Romë të Italisë dhe që prej vitit 2001 punon si pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Italiane, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2005 mbaroi studimet Master në Linguistikë dhe fitoi gradën Doktor. Interesi i saj është Përkthimi dhe Gjuha e Specialitetit. Ka përkthyer autorë italianë si Italo Calvino me “Leksione Amerikane” dhe ka botuar një sërë artikujsh si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Që nga viti 2011 bashkëpunon me revistën “Italiano a Stranieri”, ku ka botuar artikuj mbi mësimdhënien e italishtes si gjuhë e huaj në Shqipëri. Interes i saj janë gjithashtu raportet që krijohen mes gjuhës mëmë dhe atyre që mësojnë një gjuhë të huaj.
Për ta shkarkuar ose shfletuar librin, kliko këtu.