Qendra e Botimeve për Diasporën bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës ka përgatitur materialet bazë për hartimin e Platformës Digjitale “Fol shqip” të miratuar me vendim të Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën, Nr. 160 Prot., datë 16.04.2020 për “Miratimin e krijimit të Platformës online për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Diasporë”.
Materialet do të përbëjnë bazën përmbajtësore për ngritjen e platformës për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë. Materialet përfshijnë këto tekste: Tekstin bazë “Mësojmë Shqip” të nivelit A/1 dhe A2, si dhe librin e mësuesit, të hartuar nga Prof. Dr. Aljula Jubani, Dr. Adriana Fishta-Bejko, Prof. As. Dr. Linda Mëniku. Materialet janë hartuar në harmoni me programin e kurrikulës së përbashkët të miratuar nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Janë hartuar gjithashtu dhe tekste me lexime plotësuese nga autorët: Prof. Dr. Dhurata Shehri dhe Prof. Dr. Persida Asllani.
Materialet letrare të përzgjedhura në këto tekste e ndihmojnë nxënësin të ndërmarrë një rrugëtim letrar nëpër temat e mëdha të botës shqiptare, siç janë ato të vendlindjes e atdheut, të gjuhës amtare, të vetëdijes identitare, të trashëgimisë kulturore e gjuhësore etj.
Autorët kanë menduar gjithashtu edhe hartimin e projekti me përralla dhe legjenda shqiptare dhe të huaja në disa gjuhë si anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht etj, për t’u krijuar nxënësve shqiptarë me aftësi më të mira në një gjuhë që ata e kanë gjuhë shkolle në vendin ku jetojnë, një mundësi krahasimi me gjuhën shqipe, në mënyrë që të rritet aftësia e tyre e të menduarit kritik, por ndonjëherë edhe një ndihmë të vogël kur tekstet disa gjuhëshe i kanë përballë njëri-tjetrit.
Në këtë projekt janë përfshirë legjendat e baladat më përfaqësuese të trashëgimisë sonë popullore si dhe disa nga pjesët më të bukura të letërsisë shqipe e asaj botërore për fëmijë.
Për lehtësimin e mësimit të rregullave gjuhësore të gjuhës shqipe është menduar dhe një fletore pune për gjuhën shqipe nga autorët: Prof. As. Dr. Rozana Rushiti dhe Dr. Maklena Çabej.
Një ndihmesë për hartimin e platformës do të ketë dhe teksti me njohuritë fillestare të Historisë së Shqipërisë përgatitur nga Prof. As. Dr. Enriketa Pandelejmoni.
Qendra e Botimeve për Diasporën brenda muajit qershor do të vë në dispozicion të mësuesve dhe nxënësve të gjuhës shqipe materialet e përgatitura, si dhe implementimin e tyre në Platformën Digjitale “Mëso Shqip” përpara nisjes së procesit mësimor për vitin shkollor 2021-2022.
Qendra e Botimeve për Diasporën përgatit materialet didaktike për platformën digjitale “Mëso shqip”
Comments are closed.