Qendra e Botimeve për Diasporën ka sot, pas dy viteve të funksionimit të saj, Katalogun e parë të Botimeve me mbi 50 tituj. Një shtëpi botuese, një qendër botimi, merr kuptim kur ka aq libra sa të mund të hartojë katalogun e saj. Është kartëvizita më e mirë për punën e bërë.
Vetë hartimi i katalogut është dëshmi e strategjisë së ndjekur në këto dy vite në ndihmesë të shkollave shqipe në mërgatë. Katalogu është ndarë në disa kapituj që përbëjnë dhe drejtimet e punës së Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Në pjesën e parë janë paraqitur tekstet mësimore të hartuara në mbështetje të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, të miratuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë. Teksti bazë që QBD-ja ofron për mësimin e gjuhës shqipe është: “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, në tre nivele, me autorë: Ikbale Isaku, Anila Hasani, Fatmir Xhemalaj dhe Artur Hasani. Teksti është hartuar në bazë të programit të miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë dhe vjen i përmirësuar nga QBD-ja.
Në një ndarje më vete janë paraqitur materialet mësimore bazë për hartimin e platformës digjitale: “Mëso shqip”, të miratuar nga Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën. Këto materiale janë hartuar në bashkëpunim me Fakultetin Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës dhe bazohen në programin e kurrikulës së përbashkët të hartuar nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Në to janë përfshirë 8 tekste: “Mësojmë shqip” (Niveli A1/A2) shoqëruar me librat e mësuesit për të dy nivelet, të hartuara nga Prof. Dr. Aljula Jubani, Prof. As. Dr. Linda Mëniku, Dr. Adriana Bejko-Fishta; “Lexime plotësuese për diasporën” dhe “Përralla dhe legjenda për Diasporën”, (Niveli A1/A2), të konceptuara si lexime plotësuese në gjuhën shqipe dhe lexime plotësuese dygjuhëshe, të hartuara nga Prof. Dr. Dhurata Shehri dhe Prof. Dr. Persida Asllani; “Gjuha shqipe për diasporën” (Fletore pune), të hartuara nga Prof. Dr. Rozana Rushiti dhe Dr. Maklena Çabej, si dhe “Historia e Shqipërisë për diasporën” (Niveli A1/A2) të hartuar nga Prof. As. Enriketa Pandelejmoni.
Programi i botimeve dygjuhëshe përbën një kapitull tjetër të rëndësishëm në botimet e QBDsë. Në këtë ndarje janë paraqitur 9 fjalorë dygjuhësh: shqip-anglisht, shqip-frëngjisht, shqip-gjermanisht, shqip-italisht, shqip-greqisht, shqip-turqisht, shqip-ukrahinisht, shqipspanjisht, shqip-kroatisht, Seria: “Klasikët dygjuhësh” me përrallat klasike: “Hirushja”, “Pinoku”, “Libri i Xhunglës”, “Tre derrkucët”, “Sirena e Vogël”, “Udhëtimet e Guliverit”, “Ushtari prej Plumbi”, “Borëbardha”, “Rosaku i Shëmtuar”, “Kësulëkuqja”, “E bukura dhe Bisha”, “Ujku dhe shtatë Kecat”, “Pitër Pani”, “Bukuroshja e Fjetur” në gjuhët shqip-italisht, shqip-greqisht dhe shqip-anglisht, si dhe “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit në gjuhët: shqip-italisht, shqip-frëngjisht, shqip-anglisht, shqip-gjermanisht, shqip-greqisht.
Në një tjetër kapitull është paraqitur projekti i botimit të revistës letrare “Letra nga diaspora” në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Në përmbyllje janë përfshirë dhe botimet informuese të Qendrës së Botimeve për Diasporën në të cilat dëshmohet ecuria institucionale e kësaj Qendre përgjatë dy viteve.
Botimet e përfshira në këtë katalog mund të konsultohen dhe të shkarkohen falas nga faqja zyrtare e Qendrës së Botimeve për Diasporën: www.qbd.gov.al.
Shfleto katalogun.