Letërsia e migracionit nuk është një fenomen i kohëve të fundit, dhe në historinë e letërsisë shqiptare dëshmi konkrete janë autorët arbëresh. Megjithatë letërsia e krijuar në mërgatë është një dukuri që u konsolidua me hapjen e Shqipërisë dhe valët migratore të fillim viteve ’90. Janë të shumë autorët shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, pak të njohur dhe akoma më pak të studiuar. Qendra e Botimeve të Diasporës me qëllim njohjen e autorëve shqiptar në Diasporë sjell botimet e tyre në një revistë, e cila tashmë mund të shfletohet falas online.
Ky botim me intervista, analiza, retrospektive, krijimtari vjen me synimin jo vetë të mbrojtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe përmes letrave të bukura, por dhe vendosjen e urave të komunikimit të autorëve shqiptarë në kohë apo vende të ndryshme, mes vetes dhe lexuesit, shqiptar apo të huaj, në mbështetje të krijimtarisë më të mirë.
Kryeredaktore e revistës është gazetarja Arta Marku. Revista është konceptuar me rubrika të ndryshme, si: intervista ekskluzive, krijimtari dhe biseda me shkrimtarë, recensa, dossier, retrospektivë, si dhe informacion mbi botimet e reja.
Revista hapet me intervistën e një autori të Diasporës. Zgjedhja e kësaj radhe është poeti Ervin Hatibi, i cili sapo është shfaqur me përmbledhjen poetike “Transkript nga krevati tjetër”.
Personazhi i rubrikës “Dossier” është shkrimtari dhe filozofi shqiptar i larguar nga Shqipëria në vitin 1944, Isuf Luzaj, në këndvështrimin dhe interpretimin e Mimoza Hysës.
Rubrika “Letrat”, siç është e dukshme edhe nga titulli, duke qenë edhe rubrika qendrore dhe më e
vëllimshme e revistës, i kushtohet letërsisë bashkëkohore të shkruar nga shkrimtarë të mërguar. Autorët e përzgjedhur për këtë numër, mes poezisë dhe prozës janë: Entela Tabaku (Suedi), Gjekë Marinaj (SHBA), Visar Zhiti (SHBA), Durim Taçi (Itali), Shkumbin Gashi (Zvicër).
Rubrika “Urat” u kushtohet përkthyesve nga shqipja në gjuhë të huaja, botuesve të huaj të letërsisë shqipe, me qëllimin për të krijuar një panoramë më të plotë mbi librat dhe autorët shqiptarë kudo ndodhen nëpër botë. Përkthyesit e përzgjedhur për këtë numër: Oana Glasu, Eleana Zhako dhe Livio Muci.
Të pranishëm në këtë numër: Ervin Hatibi, Entela Tabaku, Gjekë Marinaj, Visar Zhiti, Durim Taçi, Shkumbin Gashi, Enit Karafili Steiner, Albert Doja, Oana Glasu, Eleana Zhako, Livio Muci, Mimoza Hysa, Zana Varvarica Kuka etj. Pikturat e Agim Sulaj shoqërojnë përmbajtjen e numrit të dytë. Për paraqitjen grafike është kujdesur piktori Elsi Kongo.
Revista mbyllet me një panoramë të botimeve të fundit të autorëve të diasporës, në shqip ose në gjuhë të tjera.
Kjo revistë do të vijë së shpejti dhe në gjuhën angleze.
Numrin e dytë të “Letra nga Diaspora” mund ta lexoni këtu: