Qendra e Botimeve për Diasporën në dy vite: Jo premtime, po realizime
Më datat 6 dhe 7 nëntor në Tolentino dhe në Bolonja të Italisë u zhvilluan dy seminare të rëndësishme mbi mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, të organizuara mbi bazën e një programi të përbashkët hartuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, Qendra e Botimeve për Diasporën si dhe Konsullata e Shqipërisë në Milano. Aktivitetet shërbyen dhe si një vend takimi mes institucioneve shtetërore të Italisë, Shqipërisë, Kosovës dhe mësuesve dhe nxënësve të komunitetit shqiptar, me qëllim evidentimin e problematikave dhe nevojave aktuale të mësuesve dhe adresimit të tyre për zgjidhje.
Pjesëmarrës në këto aktivitete ishin shkollat shqipe në Itali, mësues të gjuhës shqipe në Itali, autoritete shqiptare dhe italiane, shoqata të ardhura nga të katër anët e Italisë.
Punimet e seminarit të Tolentinos u përshëndetën nga kryebashkiaku i Tolentinos, z. Giuseppe Pezzanesi, Konsullja e Përgjithshme e Konsullatës së Barit, znj. Genta Mburimi, koordinatorja për Diasporën në Konsullatën e Milanos, znj. Luljeta Çobanaj, këshilltari pranë Presidencës së Kosovës, z. Vehbi Miftari, kryetarja e Lidhjes së Mësuesve në Itali, znj. Ariana Kosova, si dhe të ftuar të tjerë nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Punimet u ndoqën dhe u pasqyruan nga media lokale dhe qendrore.
Po kështu, punimet e seminarit të Bolonjës u përshëndetën dhe nga zv/kryebashkiakja e Bolonjës, znj. Emily Clancy, si dhe autoritete të tjera italiane të ftuar në këtë takim. Të pranishëm gjithashtu ishin dhe Konsullja e Përgjithshme e Konsullatës së Barit, znj. Genta Mburimi, koordinatorja për Diasporën në Konsullatën e Milanos, znj. Luljeta Çobanaj, sekretarja e parë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, znj. Ledia Mirakaj, këshilltari pranë Presidencës së Kosovës, z. Vehbi Miftari, përfaqësuesi i Këshillit të Arsimtarëve në Diasporë, z. Dritan Mashi, kryetarja e Lidhjes së Mësuesve në Itali, znj. Ariana Kosova, si dhe të ftuar të tjerë nga autoritetet italiane dhe shqiptare.
Qendra e Botimeve për Diasporën përfaqësohej në takime me drejtoreshën e QBD-së, znj. Mimoza Hysa dhe përgjegjësen e sektorit të botimeve, znj. Fabjola Caushaj. Përmes këtyre takimeve QBD-ja synonte konsolidimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali, identifikimin dhe hartimin e listës së shkollave dhe mësuesve të cilët punojnë vullnetarisht në Itali për mësimin e gjuhës shqipe, prezantimin e botimeve të QBD-së si dhe pajisjen e mësuesve me tekste shkollore dhe literaturë plotësuese, evidentimin e problematikave në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Itali dhe hartimin e një plani pune për zgjidhjen e tyre.
Në fjalën e saj znj. Hysa u shpreh se QBD-ja pas dy viteve pune intensive ka mundur të zgjidhë problematikën e hartimit, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore në diasporë. “Tashmë ne nuk vijmë me një listë dëshirash, por me një listë realizimesh”, u shpreh znj. Hysa, e cila prezantoi gjithashtu dhe tekstin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës që përbën dhe mbylljen e fazës së parë të një procesi të rëndësishëm mes dy vendeve, me qëllim qasjen e përbashkët në politikën për mësimdhënien në diasporë.
Mësuesit në takimin në Bolonja paraqitën kërkesa konkrete për mbarëvajtjen e punës së tyre, si: nevojën për marrëveshje ndërshtetërore për mundësimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në mjediset shkollore, nevojën imediate të trajnimit të mësuesve, nevojën për lehtësimin e procedurave për regjistrimin e mësuesve në regjistrin shtetëror të dy vendeve, nevojën për pajisjen e bibliotekave vendore në Itali me libra në gjuhën shqipe etj. Drejtoresha e QBD-së, znj. Hysa dhe Koordinatorja e Diasporës, znj. Cobanaj u konsultuan veçanërisht me mësuesit e ftuar me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problemet më shqetësuese dhe adresimin e tyre në institucionet përkatëse të Shqipërisë. Gjithashtu dhe z. Miftari u angazhua për adresimin e problematikave dhe për mbi mbështetje të plotë nga shteti i Kosovës për mësuesit e gjuhës shqipe në Itali.
Seminari në Bolonja u përshëndet me një program artistik me vjersha, këngë e valle të nxënësve të shkollave shqipe të përgatitura nga mësueset e përkushtuara znj. Valbona Toçi, mësuese e Shkollës “Gjuha shqipe” në Bolonja, si dhe znj. Mirela Kristo-Guza, nga Shkolla “Gjuha shqipe” në Ferrara.
Qendra e Botimeve për Diasporën dhuroi gjithashtu për mësuesit një paketë me tekste shkollore dhe literaturë plotësuese.