Qendra e Botimeve për Diasporën sjell një cikël intervistash me mësues shqiptarë në Diasporë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në vendin ku ndodhen.
Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe dhe studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe shumëkulturës në arsim e shoqëri, është diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe jeton prej 20 vjetësh në Greqi.
Prej 9 vjetësh punon si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe në Selanik, pranë shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza”.
Në pozicionin e përgjegjëses për mësimin e gjuhës shqipe dhe aktivitetet kulturore, ajo ka marrë pjesë me kumtesa e prezantime në konferenca shkencore ndërkombëtare në Greqi dhe në seminare mbarëkombëtare për gjuhën shqipe në Shqipëri dhe Kosovë; në projekte evropiane dhe hulumtime shkencore në bashkëpunim me Universitetin “Aristoteli”, Universitetin e Kretës dhe Universitetin e Tiranës.
Aurela është përgjegjëse për aktivitetet që i përkasin gjuhës shqipe në grupin shkencor ndëruniversitar “Polidhromo” pranë fakultetit Pedagogjik të universitetit “Aristoteli” dhe jep vullnetarisht mësime shqip, për studentë shqiptarë, vendës e të huaj.
Ajo është vlerësuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë me trofeun “Shqiponja e Artë” në kategorinë “Mësoj gjuhën shqipe” në Samitin I të Diasporës Shqiptare, 2016 dhe me çmimin “Aktivistja e Vitit 2018” nga fondacioni “HARPA” në Fier, me motivacionin: “Ka dhënë ndihmesë të madhe në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në shtetin grek”.
Cila është historia juaj e ikjes nga Shqipëria dhe si ndikoi te ju ky ndryshim?
Në Greqi jetoj prej 20 vitesh bashkë me familjen time, bashkëshortin dhe vajzën, sot 18 vjeç. Në Shqipëri punova 6 vjet si mësuese në qytetin tim të lindjes, Fier. U largova pasi bashkëshorti jetonte në Greqi. Ikja për mua kishte dhe një peshë të veçantë emocionale: Më duhej të largohesha nga nxënësit e mi. Ky ka qenë dhe momenti im më i vështirë. Nuk e dija a do më jepej mundësia të ushtroja profesionin tim, të gjendesha përsëri pranë nxënësve…
A qe e lehtë përfshirja në komunitetin shqiptar atje? Si ishte i organizuar ai dhe a ka ndryshuar ky organizim sot?
Komuniteti shqiptar është i organizuar në shoqata, të cilat janë të ligjëruara nga shteti grek. Këto shoqata kanë marrë përsipër prej vitesh mësimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në baza krejt vullnetare. Procesi mësimor zhvillohet nga mësues të diplomuar në universitetet shqiptare dhe që jetojnë dhe banojnë në Greqi. Nga tetori i vitit 2011 jam e angazhuar si mësuese vullnetare pranë shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik. Kjo shoqatë e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 2004. Ndër këto vite kanë dhënë mësim rreth 35 mësues dhe kanë kaluar rreth 1350 nxënës të moshave 6-18 vjeç. Mësimi zhvillohet në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të universitetit “Aristoteli” një herë në javë (dy orë mësimore).
Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj mësimdhënies, për shkak të vendit ku jetoni? A mund të bëni një krahasim?
Nëse do të krahasoja përvojën time si mësuese në Shqipëri me atë si mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, në radhë të parë do të theksoja se bëhet fjalë për mjedise mësimore të ndryshme. Në Shqipëri mësoja me fëmijë njëgjuhësh ku shqipja ishte jo vetëm gjuha e familjes, e mjedisit të jashtëm, por edhe gjuha e parë që mësonin në shkollë, kurse këtu mësoj fëmijë dygjuhësh ku shqipja është gjuha e familjes, dhe greqishtja gjuha e shkollës, e mjedisit të jashtëm. Pra, këtu fëmijët e mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë. Përmes mësimdhënies te fëmijët e emigrantëve shqiptarë, si dhe duke pasur parasysh dygjuhësinë e emigracionit, shqipen dhe greqishten, vërej si njëra gjuhë ndikon tek tjetra, një ndikim, i cili duhet të pasqyrohet dhe në metodat e mësimdhënies. Tjetër metodologji mësimdhënieje ndjek me fëmijë njëgjuhësh dhe tjetër metodologji mësimdhënieje me fëmijë dygjuhësh. Me rritjen dhe shkollimin e tyre te këta fëmijë shfaqen edhe ndikimet që kanë sistemet gjuhësore të njërës apo tjetrës gjuhë në rrafshin fonetik, gramatikor dhe leksikor. Sigurisht, nëpërmjet dygjuhësisë zbulohen jo vetëm interferencat midis dy gjuhëve, por edhe aftësia e shqipes për t’u përshtatur e për t’u përballur me gjuhët në kontakt.
Këto lloj problematikash dhe dukuri të tjera sociolinguistike dhe etnokulturore që rrjedhin prej tyre, trajtohen më hollësishëm në studimin e realizuar në bashkëpunim me pedagogen e sintaksës Prof. as. doc. Rozana Rushiti të Universitetit të Tiranës.
Duke qenë se ju keni kohë që jetoni në Greqi, si ka ndryshuar ndër vite interesi i emigrantëve shqiptarë për të mësuar shqip?
Kjo pyetje më bën të marr frymë thellë dhe të them me keqardhje se numri i fëmijëve që frekuentojnë kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi ka një rënie të ndjeshme. Po përmend disa të dhëna:
Në vitet 2012-2013 në shoqatën “Nënë Tereza” në Selanik, ndiqnin mësimin rreth 150-170 nxënës, në këto dy vitet e fundit ky numër ka arritur në rreth 50-60 nxënës. Më shqetësuese për mua është rënia e numrit të nxënësve që vijnë për herë të parë, domethënë, hapja e klasave të para. Qëllimi i përpjekjeve tona, i shoqatës dhe i stafit pedagogjik krahas mësimit të gjuhës shqipe ka qenë dhe përfshirja e mësimit të gjuhës shqipe ne sistemin arsimor grek. Mësime të gjuhës shqipe në shkollat publike greke pas vitit 1997 janë ofruar në disa shkolla në formë projektesh pilot, në kuadër të programeve kërkimore shkencore dhe megjithëse ato janë mirëpritur nga fëmijët shqiptarë, nuk patën vijimësi. Në rënien graduale të numrit të fëmijëve kanë ndikuar disa faktorë: Mungesa e vullnetit nga ana e fëmijëve. Mësimi është i organizuar në fundjavë ku fëmija ka nevojë për kohë të lirë, pas një jave të ngarkuar në shkollën greke. Gjithashtu këto kurse ndodhen në zona të veçanta, kështu që fëmija duhet të vijë i shoqëruar nga prindërit. Ka fëmijë që banojnë shumë larg nga vendi ku zhvillohet mësimi. Ka ndodhur që fëmija ka ndaluar vijimin e ciklit mësimor për arsye se prindërit punojnë në fundjavë dhe nuk ka kush ta shoqërojë në shkollë. Do të ishte shumë ndryshe, nëse mësimdhënia e gjuhës shqipe do të ishte e përfshirë në procesin mësimor të shkollës së vendit ku fëmija jeton. Mungesa e mjeteve të nevojshme për të mbështetur procesin mësimor, mungesa e mbështetjes teknike, e materialit didaktik të përshtatshëm për nxënësit dygjuhësh. Ndërgjegjësimi i familjes për rëndësinë e mësimit të gjuhës së vendit të origjinës te fëmijët e tyre. Përgatitja dhe trajnimi i mësuesve të përfshirë në mësimdhënien e gjuhës shqipe. Diversiteti gjuhësor i fëmijëve kërkon dhe qasje të reja didaktike për të mbështetur dygjuhësinë e fëmijëve, për të ruajtur në mënyrë aktive elementet gjuhësore dhe kulturore që ata bartin. Unë mendoj, duke u nisur dhe nga përvoja greke, se ky lloj arsimimi duhet të përfshihet në programet mësimore të departamenteve akademike që përgatisin mësues për arsimin fillor dhe të mesëm.
Sipas këndvështrimit tuaj, a ka ndërveprim midis mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë?
Mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë marrin pjesë në seminaret vjetore mbarëkombëtare që zhvillon Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu ata zhvillojnë seminare në vendet ku jetojnë dhe japin mësim. Për shembull, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi organizon çdo vit seminar me mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Greqi. Në vitet e fundit në këto seminare kanë marrë pjesë dhe mësues nga vendet e tjera, Anglia, Italia etj. Sikundër edhe mësuesit nga Greqia kanë marrë pjesë në seminare që zhvillojnë kolegët e tyre në vende të tjera. Pra, midis mësuesve ka ndërveprim, por ky ndërveprim mbetet i kufizuar vetëm në këto takime. Gjithsesi ekziston dëshira dhe vullneti i mirë për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira didaktike, të cilat japin mundësi për të përfituar këndvështrime novatore mbi organizimin e mësimdhënies në vendet ku jetojnë.
Ju jeni marrë me studime lidhur me dygjuhësinë dhe shumëkulturat, si ka ndikuar ky fakt në mësimdhënie për ju?
Nga viti 2013 jam pjesë e grupit shkencor ndëruniversitar “Polidhromo“, një grup për dygjuhësinë dhe shumëkulturën në arsim dhe në shoqëri, pranë Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, ku jam dhe përgjegjëse për aktivitetet që i përkasin gjuhës shqipe. Bashkëpunimi me grupin “Polidhromo” pjesëmarrja në projekte dhe studime shkencore akademike, sigurisht ka ndikuar dhe në qasjet e mia në mësimdhënie: të adoptoja praktika didaktike që janë në përputhje me praktikat e dygjuhësisë fleksibël (flexible bilingualism), të krijoja një mjedis mësimor që inkurajon përdorimin e potencialit gjuhësor të nxënësve, të bëj “të dukshëm” vetë fëmijët në klasë, t’u jap hapësirë gjuhëve dhe përvojave të fëmijëve. Nuk duhet të jemi indiferentë ndaj dygjuhësisë së fëmijëve. Kjo bëhet për qëllime pedagogjike, nuk duhet të përjashtohet njëra apo tjetra gjuhë, duke lehtësuar procesin mësimor, një proces i vazhdueshëm për gjetjen e mënyrave dhe qasjeve të reja ndaj dijes. Ndaj është e nevojshme që mësuesi të karakterizohet nga kompetenca ndërkulturore. Arsimi ndërkulturor konsiderohet si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e tolerancës, paqes, vetëdijes kulturore, veçanërisht kur flasim për komunitete shumëkulturore. Zhvillimi i dygjuhësisë përtej dimensionit të njohjes, ka dhe një shtrirje sociale, ka të bëjë me tërësinë e klasës dhe të shoqërisë që e rrethon. Në këtë mënyrë përgatitim fëmijë për një botë shumëkulturore, larg stereotipave dhe paragjykimeve.
Si e keni ndërtuar marrëdhënien tuaj me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje po e jap përmes kartolinës së shkruar nga vetë nxënësit me rastin e mbylljes së vitit shkollor. Unë krenohem me ta, me ecurinë e tyre!
“Mësuese Aurela,
Këtij viti plot kujtime dhe momente shumë të bukura sapo i erdhi fundi me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për ne si fëmijë të Shqipërisë. Dëshironim t’ju falënderonim për durimin, përkushtimin dhe dashurinë e pafund që na jepni gjithmonë. Fjalët nuk mjaftojnë për të thënë sa ju duam, sa bukur kemi kaluar të gjithë së bashku, dhe më së tepërti sa gjëra kemi mësuar nga ju. Sado kartolina t’ju shkruajmë sado lule që t’ju blejmë nuk do të jenë të mjaftueshme kurrë për t’ju shprehur dashurinë tonë.”
Përse e këshilloni mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për të rinjtë atje?
Nga viti 2014 jap vullnetarisht mësime shqip për studentë shqiptarë dhe jo vetëm. Mësimet janë mundësuar nga grupi “Polidhromo”, janë të organizuara në formën e seminareve dygjuhëshe me theks mësimin e gjuhës shqipe dhe ndiqen edhe nga mësues grekë, të cilët në kontekstin e arsimit ndërkulturor tregojnë interes për prejardhjen gjuhësore dhe kulturore të nxënësve të tyre. Studentët/et shqiptare i ndjekin me interes të veçantë këto mësime me qëllim certifikimin e gjuhës shqipe, e cila mundësohet nga Instituti i Studimeve Ballkanike (IMXA) në Selanik një marrëveshje me Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gjuhës Shqipe. Nga maji i vitit të kaluar gjuha shqipe njihet dhe vlerësohet me pikë në konkurset e Departamentit të Administratës Publike. Gjuha shqipe u hap dritare të reja në fushën profesionale sociale dhe akademike. Shumë studentë e zgjedhin në studimet e tyre pasuniversitare në kuadrin e arsimit ndërkulturor dhe studimit të gjuhëve të komuniteteve emigrante, ku duhet të kemi parasysh që gjuha shqipe mbizotëron numerikisht.
Për vite me radhë ju keni punuar si mësuese vullnetare, përse kjo sakrificë?
Ma kanë bërë shumë herë këtë pyetje. Asnjëherë nuk e mendova t’ia bëj vetes. Nuk e di a do të gjeja fjalët e duhura. Pse e bëj? Është një forcë e brendshme. Është dashuria për profesionin, profesion që u kthye në një mision, në një mënyrë jetese. Ne mësuesit jemi ata që krijojmë dhe mbajmë urat lidhëse midis vendit të origjinës dhe vendit pritës. Gjuha përbën identitetin e një kombi. Gjuha nuk është vetëm fjalët, është kultura, traditat, një histori e tërë. Janë të gjitha këto që përbëjnë atë çka një komunitet është. Ndaj dhe mësimin e saj te fëmijët e emigrantëve e ndjej një detyrë, një përgjegjësi.