Del nga shtypi vëllimi “Keze të hueja”, me poezi të përkthyera prej italishtes nga Monsinjor Ernest Çoba Monsinjor Ernest Çoba, nën kujdesin e autorit shqiptar me banim në SHBA Lisandri Kola. Kjo përmbledhje e viteve ‘30, del për herë parë, mbështetur në fondin arkivor të Çobës. Poezitë shoqërohen me një aparat filologjik (komentar) të personalizuar, një studim, si dhe faksimile e foto. Libri është pjesë e “Kolana Kêns” dhe e motos së saj “Acta non verba”.
Lisandri Kola lindi në Shkodër më 12 maj 1986. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në qytetin e tij të lindjes gjatë viteve 2004-2008 dhe më pas u diplomua në Letërsi më 2010 (M.Sc. në Kritikë dhe teori letrare ) në Universitetin e Tiranës, ku më 2014, fitoi një doktoraturë në Shkencat Letrare.
Gjatë periudhës 2014-2016, punoi në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si bibliotekar e bibliograf, dhe njëkohësisht si Profesor i Letërsisë së Krahasuar dhe i Hyrjes në Letërsinë e Krahasuar, në Universitetin e Tiranës. Më 2016, ai ishte Ligjërues i Letërsisë Moderne Shqiptare dhe i Historisë së Sonetit Shqiptar në Departamentin e Letërsisë dhe i Teorisë së Përkthimit në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të këtij fakulteti.
Që nga viti 2018, jeton në Amerikë dhe është ligjërues i lëndës “Albanian Literature in Exile”, në Universitetin Publik të Miçiganit, Departamenti i Gjuhëve dhe i Letërsive Sllave.
Ka botuar shumë libra me poezi, përkthime, hulumtime dhe një roman, si dhe është nderuar me disa çmime.