Biblioteka Françeskane vjen me një botim të ri të historianit At Paulin Margjoka me titull “Epizode historike”. Në këtë vepër janë përfshirë artikujt studimorë të Át Paulinit botuar në revistën “Shêjzat” themeluar prej Ernest Koliqit, me të cilin ai bashkëpunoi ngushtë për çështje të historisë kombëtare. Në libër trajtohen probleme shqetësuese të kohës, çështja kombëtare etj.
”Kolana e shkrimtarëve françeskan u pasunue me nji botim të ri të historianit Át Paulin Margjoka, OFM. Veprën e kemi titullue Epizode historike. Në ketë vepër janë përfshi artikujt studimor të Át Paulinit botue në revistën “Shêjzat” themelue prej Ernest Koliqit. Natyrisht, Át Paulin Margjokaj bashkëpunoi ngusht për çeshtje të historisë kombëtare me Koliqin. Vlera e librit, që e ka në dorë lexuesi, nuk asht numri i faqeve, por trajtimi i problemeve ma të shqetësuese të kohës me pendën e mprehtë të nji studiuesi të kujdesshëm e të paanshëm.
Asht shoshitja, arsyetimi, argumentimi i ngjarjeve dhe dokumentimi i tyne në mënyrë objektive. Prej këndej, studimet historike, që po i botojmë, janë kontribut i çmueshëm jo vetëm për lexuesin, që kërkon të vërtetën e historisë së vendit ku lindi, por edhe, e sidomos, për historinë tonë kombëtare.
Episodet historike rreth kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe zhdukja e Republikës së Suliotëve, nxjerrin edhe nji herë në dritën e diellit mizoritë e Ali Tepelenës kundra popullsive të pambrojtuna. Ndërsa, në tre kapitujt e tjerë të veprës, historia e vendit tonë vihet përballë historive të popujve të tjerë të Ballkanit. Tue e shfletue këtë vëllim, vërejmë se Át Paulini studioi me kujdes të madh jo vetëm gjendjen historike të Ballkanit, por dhe ndikimet e Rusisë mbi politikat e shteteve fqinje. Mbërriti, kështu, të skjarojë shkencërisht situatat ma të ngatërrueme të Shqipnisë, e cila e fitoi pamvarësinë e fundmja, kur “i sëmuri i Bosforit” po jepte shpirt”, shprehet Biblioteka Françeskane për këtë botim.
Botohet vepra “Epizode historike” e historianit Át Paulin Margjoka
Comments are closed.